14 C
Tirana
Thursday, May 6, 2021
No menu items!

Siguria ushqimore, pamundësitë e zbatimit në terren për Kapitullin XII dhe sa larg BE-së është Shqipëria

Nga Rudina Muça*

Siguria ushqimore është një ndër prioritetet që vendet e Bashkimit Europian kanë kur diskutohet për shëndetin e qytetarëve të tyre. Të njëjtin standart këto shtete duan t’a eksportojnë edhe në vendet, të cilat aspirojnë të jenë pjesë e unionit, duke kërkuar prej tyre forcim të legjislacionit dhe përafrimit me “Acquis” e BE, por edhe duke i asistuar me fonde dhe trajnime.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian po kalon në një proces të gjatë që konsiston në përputhjen e 31 kapitujve që përfshijnë që nga demokracia dhe institucionet e saj deri tek kriteret ekonomike dhe sociale.

Shqipëria prej disa vitesh ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe një ndër rekomandimet që mbetet i paplotësuar është Kapitulli 12, që njihet si “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”.

Permbajtja e Kapitullit XII

Ky kapitull përbëhet nga një numër shumë i madh rregulloresh, direktivash dhe vendimesh ku përfshihen rregullat e detajuara në fushën e veterinarisë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si edhe sigurinë e ushqimeve me origjinë shtazore në tregun e brendshëm. Kapitulli 12 është një ndër kapitujt më kompleks përsa i përket volumit të legjislacionit që duhet përafruar dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Në Prillin e vitit 2005, në Luksemburg, u nënshkrua Marrëveshja e Ripranimit Shqipëri – Bashkimi Europian dhe një vit më vonë, në Shtator të 2006-ës, Parlamenti Europian votoi rezolutën për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, e cila i hapi rrugë ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, e hyri në fuqi në Prill të vitit 2009. Në vitin 2006, u krijua edhe një instrument i ri për ndihmën e para-anëtarësimit (IPA). Ky instrument i vetëm financiar thjeshtëzon dhe projekton ndihmën e jashtme të BE-së gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Që prej 1 Janar-it 2007, Shqipëria përfiton prej Instrumentit të Para-Anëtarësimit, që mbështet vendet kandidate dhe kandidate potenciale të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sistemi i sigurisë ushqimore ne Europë mbështetet në parimet e përgjegjësisë së prodhuesit, gjurmueshmërisë së ushqimit, si edhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe kafshëve.

Shqipëria në përpjekjet për përafrimin e këtij legjislacioni po përballet me shumë vështirësi në drejtime të ndryshme. Ekspertët e fushës rekomandojnë dhe konstatojnë mangësitë që Ministria e Bujqësisë, si drejtuese e plotësimit të këtij kapitulli duhet të ketë prioritet, teksa ende shumë pika kyçe nuk janë plotësuar.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e pyetur se në çfarë faze ndodhet plotësimi i rekomandimeve të Kapitullit 12, tha se: “Aktualisht jemi duke punuar intensivisht, mbështetur dhe nga projekti “Support to food safety, veterinary and phytosantiary standards” – IPA 2016”, për përgatitjen e dokumentit të Analizës së Mangësive Ligjore, i cili është një dokument që skanon të gjithë bazën ligjore të BE dhe atë të përafruar ndër vite nga MBZHR dhe mbështetur në një analizë të thelluar do të përcaktojë edhe afatet kohore të akteve, të cilat ende nuk janë përafruar.”

Ministria e Bujqesise dhe Zhvillimit Rural

Sipas ekspertëve, miratimi i legjislacionit shqiptar në harmonizim me atë të BE, është vlerësuar që ka ecur mirë, por problematika kryesore është mënyra se si ky legjislacion zbatohet në vend pas miratimit të tij.

Evidentohet se, një problem në lidhje me ligjin kryesor të sigurisë ushqimore në Shqipëri, i cili harmonizohet me Rregulloren e Higjienës së BE, konsiderohet fakti që Shqipëria nuk ka një autoritet të vetëm përgjegjës për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ky kontroll në Shqipëri kryhet nga tre autoritete, të  cilat janë sa të  pavarura aq dhe të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, përgjegjësitë dhe procesi ndahet dhe copëtohet, duke e bërë më të vështirë, më të ngadaltë dhe jo mirë të koordinuar.

Ky shqetësim nuk ndahet nga Ministria e Bujqësisë e cila deklaron se janë marrë masat e nevojshme që dy autoritet më me rëndësi për kontrollin  e sigurisë ushqimore të plotësohen dhe të funksionojë zinxhiri kontrollues.

“Siguria ushqimore dhe veterinaria janë dy autoritete të ndryshme, por që kanë të njëjtën mënyrë organizimi në autoritet kompetent qëndror, përgjegjës për politikbërjen, legjislacionin, strategjitë dhe monitorimit të zbatimit të tyre dhe autoritetin kompetent, përgjegjës për zbatimin e politikave, legjislacionin dhe strategjitë. Këto autoritete organizohen në mënyrë të tillë që të funksionojë zinxhiri vertikal i komandës dhe raportimit. Së fundmi, me miratimin e amendimeve të Ligjit të Veterinarisë dhe organizimin e Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u bë i mundur unifikimi i zinxhirit të komandës në linjë vertikale edhe për veterinarinë, duke plotësuar në këtë mënyrë rekomandimin e vazhdueshëm të dhënë në Raportin e Progresit të Komisionit Europian si dhe të misionit të OIE-së në vitin  2014  në Shqipëri. -deklaroi Ministria e Bujqësisë.

Sa i përket analizës së riskut, e cila është edhe parimi i dytë i rregullores së higjienës, Shqipëria paraqet probleme pasi edhe sot ende nuk ka një plan analitik të  sigurisë ushqimore. Shqipëria ka miratuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ku produktet me origjinë shtazore mund të tregtohen lirshëm në BE që në 1992, por edhe pas gati 30 vitesh nuk po mund të eksportojmë këto produkte në vendet e BE, sepse ende nuk janë plotësuar disa prej rekomandimeve. Edhe për Ministrinë e Bujqësisë, edhe pse eksportojmë disa produkte, ky proces mbetet kompleks dhe shihet si prioritet i këtij institucioni, ku po punohet intensivisht.

“Shqipëria është e listuar në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE  produkte me origjinë shtazore për konsum human të tilla si peshk, produkte peshku, vezë, produkte vezësh, qumësht të trajtuar dy herë termikisht, këmbë bretkosash, kërminj dhe zorrë, si dhe produkte për konsum jo human të Kategorisë 3. Aktualisht jemi duke punuar për rihapjen e eksportit të molusqeve bivalve dhe vezë të klasit A dhe presim të auditohemi nga shërbimet e Komisionit Evropian. Sigurisht, eksporti i produkteve me origjinë shtazore në BE është ndër prioritetet e MBZHR, por ky është një proces kompleks dhe jo vetëm i Shqipërisë”, u shprehën zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë.

Treg kafshesh te gjalla ne Shqiperi

Specialistët e fushës sygjerojnë se, duhet të hartohet një program pune specifik për përmirësimin e situatës së sigurisë ushqimore në sektorin e blegtorisë dhe atë të akuakulturës, me synim hapjen e eksportit të kafshëve të gjalla dhe atë të midhjeve brenda vitit 2021.

Një skanim real të situatës së ecurisë së procesit për plotësimin e Kapitullit 12 është edhe Progres-Raporti i Bashkimit Europian, i cili çdo vit jep rekomandimet dhe konstaton mangësitë se ku duhet të fokusohen energjitë e ministrive dhe grupeve të punës. Progres-Raporti i BE-së për Shqipërinë gjatë muajit Tetor 2020 ka dhënë vlerësimet përkatëse, por ka lënë edhe mjaft rekomandime që duhen plotësuar.

“Ristrukturimi i sektorit veterinar mbetet ende për t’u zbatuar. Shqipëria duhet të hartojë një udhërrëfyes koherent për të siguruar harmonizimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e acquis-it të BE-së mbi kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve në kuadrin e një politike të konsoliduar të sigurisë ushqimore. Rekomandimet e Komisionit të vitit 2019 nuk janë zbatuar plotësisht dhe janë ende të vlefshme”, u shpreh Komisioni Europian në raportin më të fundit në Tetor 2020. Ndër të tjera në progres raport theksohet se, Shqipëria duhet të përfundojë riorganizimin e shërbimit veterinar për të rritur efikasitetin dhe për të siguruar një nivel të përshtatshëm të kapaciteteve administrative. Duhet të vazhdojë të zbatojë me efikasitet programin e ri të vaksinimit kundër tërbimit (2020-2021). Duhet të miratojë një metodologji të re të bazuar në rrezikun për planifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore. Duhet të zbatojnë kontrolle zyrtare sipas planeve vjetore të përditësuara të inspektimit mbështetur në një metodologji të përmirësuar të bazuar te rreziku për planifikimin e kontrolleve zyrtare të sigurisë ushqimore. Duhet të përmirësojë kontrollin e produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe të konsolidojë kapacitetet e monitorimit të mbetjeve të pesticideve në produktet ushqimore.

Informaliteti mbetet një problem madhor i bizneseve bujqësore. Ekspertët thonë se, ligji ‘Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor’ nuk është amenduar asnjëherë dhe vlerësohet si i pazbatueshëm ndaj sugjerohet zëvendësimi i tij më një ligj tjetër të zbatueshëm dhe të përditësuar. Përsa i përket informalitetit, ai vlerësohet se pengon të gjitha hallkat e tjera të zinxhirit dhe të sigurisë ushqimore. Ndryshe nga sa ekspertët rekomandojnë dhe konstatojnë, Ministria e Bujqësisë ka një tjetër qëndrim duke deklaruar se formalizmi i fermave ka ndodhur.

“Të gjitha fermat blegtorale në territorin e Shqipërisë janë të formalizuara nëpërmjet regjistrimit të çdo ferme. Çdo lloj kafshe mbarështimi është identifikuar me një kod unik (të dhënë nga INSTAT), të cilat janë të regjistruara dhe identifikuara në sistemin elektronik RUDA mbajtur në MBZHR. Identifikimi dhe regjistrimi i fermave është pjesë e gjurmueshmërisë të shëndetit të kafshëve që mbarështohen në këto ferma. MBZHR po zbaton një politikë të re duke bërë matrikullim, identifikim falas dhe duke rritur numrin e veterinerëve të terrenit”, u shprehën zyrtarë të kësaj ministrie

Ky qëndrim i Ministrisë së Bujqësisë kundërshtohet nga raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë i cili pohon se numrat e kafshëve u verifikuan dhe u regjistruan në të gjithë vendin, por regjistri i kafshëve ende kërkon përditësim. “Të dhënat e reja pritet të përmirësojnë informacionin mbi numrin real të kafshëve dhe të ndihmojnë shërbimin veterinar për të planifikuar masat dhe buxhetin për regjistrimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër edhe tregjet agro-blegtorale janë një hallkë e dobët në zinxhirin e sigurisë ushqimore. Gjatë takimit që grupi i punës së Konventës Europianë mbajti për Kapitullin 12 në dhjetor 2020 në Tiranë, u diskutua se nga një vlerësim i bërë, nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret. Ndaj u kërkua në këtë tryeze që më shumë punë duhet bërë që këto tregje të arrijnë standartet e kërkuara, dhe kjo realizohet duke shtuar investimet dhe mbështetjen financiare dhe strukturore ndaj tyre.

Hartimi i një ligji gjithëpërfshirës që të lidhë mes tyre hallkat e ndryshme të sigurisë ushqimore: bujqësia, blegtoria, peshkimi, industria ushqimore, mjedisi dhe tregjet agro-blegtorale shihet si  mënyra e duhur për t’u afruar në standardet e kërkuara. Me rëndësi vlerësohet mbështetja financiare e këtyre hallkave, fuqizimi i agrobizneseve dhe rregullimi i procedurave të gjurmueshmërisë, pasi rregullorja e BE e vitit 2002 ka një ndër 5 parimet e përgjithshme, gjurmueshmërinë. Sipas nenit 18, ushqimi duhet të gjurmohet në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe në çdo kohë.

Ndërkohë që gjatë vitit 2019 shtimi i 3 veprave penale sa i përket sigurisë ushqimore në Kodin Penal u vlerësuan nga BE si një hap pozitiv dhe një përpjekje serioze në plotësimin e rekomandimeve të lëna.

Për të pasur një siguri ushqimore të standartizuar duhen ngritur kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore të shoqëruara këto edhe me buxhetimet përkatëse, gjë e cila në shumicën e rastëve është e pamjaftueshme dhe e kushtueshme për buxhetin që i akordohet këtij sektori jetik në vendin tonë. Ministria e Bujqësisë konfirmoi se, ngritja e kapaciteteve njerëzore është në vëmëndjen e vazhdueshme, si dhe është investuar për ngritjen e këtyre kapaciteteve si nga ana e ministrisë, ashtu edhe nga projekte të ndryshme ndër vite. Për të konkretizuar angazhimin e tyre në këtë proces ata sollën një model. “Shëmbulli i fundit është reforma më e re që po zbatohet, ajo në sektorin e veterinarisë, pjesë e të cilës është edhe forcimi i kapaciteteve dhe që është shoqëruar me buxhetin përkatës fillestar dhe në vazhdimësi”.

Bazuar në përkthimin e shumë urdhrave dhe rekomandimeve, ekspertët ngrenë edhe një tjetër shqetësim. Në Shqipëri, sipas tyre, udhëzimet e organizmave ndërkombëtarë për sigurinë ushqimore nuk miratohen si ligje, por adoptohen vetëm në urdhëra dhe udhëzime ministri, akte këto të cilat janë në kundërshtim me atë çfarë aspirojmë të arrijmë, pasi një urdhër ministri nuk ka të drejtë të kontrollojë bizneset për sigurinë ushqimore dhe më pas edhe mund t’i penalizojë ato, pasi juridikisht kanë efekte vetëm administrative. Për këtë arsye, njohësit e Kapitullit 12 rekomandojnë kthimin në ligj të shumë vendimarrjeve që autoritetet europiane të sigurisë ushqimore ndërmarrin për qytetarët e tyre. Në këtë mënyrë do të hidhej edhe një hap më shumë drejt përafrimit të legjilacionit dhe plotësimi i këtij kapitulli me rëndësi për integrimin e vendit.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

QENDRA ALERT / ALERT.AL

- Advertisement -

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmi i fundit

Plotësoni në çast nevojat e trupit tuaj për magnez me Magne D’Oro

Të gjithë e dimë se Magnezi është një mineral shumë i rëndësishëm, që merr pjesë në një sërë proçesesh...

Filantropi dhe kompania e tij Ecolog, kupona në ndihmë të mijëra familjeve. Lazim Destani thirrje biznesmenëve: T’u shtrijmë dorën nevojtarëve

Ecolog International, kompania e familjes së filantropit dhe biznesmenit nga Tetova, iu vjen në ndihmë familjeve në nevojë në Maqedoninë e Veriut. Iniciativa e...

Gazetari Agim Blloshmi: Dëmet e parikuperueshme të HEC-eve në mjedis, bombardimi i Librazhdit nga këto ndërtime

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Blloshmi, gazetar në Librazhd dhe një ndër fitueset për gazetarinë më...

Gazetarja Anila Sefa: Ndotja e plazheve është problem prej dekadash, si dështuan projektet e iniciuara

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Anila Sefa, gazetare në Lushnje dhe një ndër fitueset për gazetarinë më...

Daniela Mane: Si po shkatërrohet mjedisi dhe rëndësia e publikut në vendimmarrje

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Daniela Mane, menaxhere projektesh në INCA, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri ka...

More Articles Like This

- Advertisement -