Menu

helmimet ne Deçan

Raporti i Institutit të Shëndetit për helmimet në Deçan: Zbuluam një bakterie në ujin e pijshëm

Në mostrat e ujit të marra nga IKSHPK në Deçan janë identifikuar bakterie të cilat japin indikacione për kontaminim të ujit të pijshëm. Në këtë komunë tashmë rreth 2 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të helmimit. Qytetarët janë shprehur se dyshojnë që helmimi u ka ardhur nga uji.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në mostrat e  ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Nga ky institut kanë rekomanduar që të shtohet kontrolli i inspeksionit sanitar dhe shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësin e të dhënave për pacientët, e të shtohet kontrolli i inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

“Ekipet e IKShPK nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar, nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të rezultojë me rekomandime të reja”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.

Njoftimi i plotë:

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

Më datën 11 korrik 2021 nga Drejtori i QKMF në komunën e Deçanit është bërë e ditur që një numër i banorëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Deçan me ankesa shëndetësore, barkqitje dhe vjellje. Menjëherë pas marrjes së lajmit në terren kanë dalë ekipet e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike në Pejë dhe kanë marrë mostrat e ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit, i cili i furnizon këto fshatra me ujë për pije.

Brenda ditës, në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për hulumtimin në terren dhe identifikimin e burimit të infeksionit. Pas marrjes së mostrave të ujit janë kryer analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike. Këto analiza kanë rezultuar në kufijtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuar sipas UA 16/2012. Rezultatet e analizave dëshmuan që nuk ka mbetje të klorit residual derisa analizat mikrobiologjike të ujit i përgjigjeshin standardeve të ujit për pije UA 16/2012.

Ndërkohë në institucionet e KPSh-së në deçan iu është ofruar ndihma mjekësore të gjithë qytetarëve të prekur. Hulumtimi laboratorik i shkaktarit ka vazhduar në terren dhe në laboratoret e Mikrobiologjisë dhe QLT në IKShPK.

Në mostrat e  ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes  teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

Ekipet e IKShPK nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar, nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të rezultojë me rekomandime të reja.

Rekomandime:

  1. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitar dhe shëndetësore për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësin e të dhënave për pacientët;
  2. Të shtohet kontrolli i Inspeksionit sanitarë dhe mjedisorë në identifikimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit;
  3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale, deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës se Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale;
  4. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje te ushqimit;
  5. Pas rikthimit të ujit në rrjetë rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri;
  6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin dhe të shtojë inspektimin e resurseve ujore, kontrollin e kaptazhave dhe pusetave të ujit dhe në secilin rast individual të intervenohet menjëherë sipas nevojës;
  7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal, për të pamundësuar kontaminimin dhe për parandalimin e epidemive hidrike;
  8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojn nyjet e kanalizimeve, të gjejnë pikat e dobëta në rrjet, ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike;
  9. Të ndalohet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellesit;
  10. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.​ /alert.al/

Helmimet në Deçan, reagon Vuçiç: Dy serbët nuk ishin as 500 metra afër burimit të ujit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar dyshimet lidhur me dy serbë që kishin vizituar Deçanin, disa ditë para se të ndodhte helmimi masiv i qytetarëve.

“Ne kemi një analizë të lëvizjes së automjeteve me targa të Novi Sadit, nuk ishin as 500 metra afër burimit të ujit. Ne po presim të shohim se çfarë do të thonë. Po presim, po dëgjojmë”, tha Vuçiç, transmeton “B 92″.

Ndërkaq, portali Albanianpost, ka raportuar se më 27 qershor, Naim Muçaj, pronari i një restoranti, 500 metra në rrugë ajrore larg këtyre pikave të ujit, tha se është vizituar nga dy të rinj serb, të cilët kishin ardhur me një veturë me tabela të Novi Sadit, të cilët e kishin pyetur për Manastirin e Deçanit.

Për shkak se këta dy persona i ishin dukur shumë të dyshimtë, Muçaj kishte njoftuar Policinë e Deçanit dhe u kishte përcjellë pamjet e kamerave të sigurisë, për t’i identifikuar ata. 

alert.al/

Rritet numri i të helmuarve në Deçan, 310 veta kërkuan ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve

Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka deklaruar se në 24 orëshin e fundit edhe 310 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me po të njëjtat simptoma.

“Në 24 orët e fundit janë lajmëruar gjithsej 310 pacientë me simptoma të njëjta siç kanë qenë ditë më parë”, tha ai para mediave. Berisha tha se që nga data 10 deri më 14 korrik janë gjithsej 1 mijë e 62 pacientë të lajmëruar.

Ndërsa, prej orës 07:00 deri në orën 11:00, Berisha konfirmoi se janë 55 pacientë që kanë këkruar ndihmë mjekësore.

Qindra persona janë helmuar në komunën e Deçanit që kur janë lajmëruar rastet e para, 4 ditë më parë. Ndonëse dyshimet e para u orientuan nga helmimi me ujë të pijes, pas analizave të mostrave të ujit IKSHPK-ja doli me deklaratë se uji në zonat ku është dyshuar për helmim është brenda normave, raporton Zeri.info.