Menu

Illyrian Guard

Kush e bën ligjin në “Illyrian Guard”, shoqata e Ushtrisë, deputetët e PS-së, apo drejtuesi “Kukull”, Drini Nikolla?!

Drini Nikolla, një ushtarak karriere i vendosur në krye të kompanisë shtetërore të sigurisë “Illyrian Guard”, ka nisur një “ofensivë” ushtarake, duke shkarkuar dhjetëra punonjës nga kjo kompani. Duke përdorur lidhjet me ndikim politik, Nikolla, është kthyer një vegël e tjetër kujt dhe qëllimeve të personave të tjerë, që caktojnë se kush do emërohet dhe kush do shkarkohet në kompaninë “Illyrian Guard”. Mjafton të përmendim shkarkimin e përgjegjësit të sigurisë për qarkun e Vlorës, shkarkim i cili është motivuar nga shoqata e Ushtrisë në këtë qytet dhe Damian Gjiknuri, dhe kupton të gjithë këtë gjurulldi të krijuar në “Illyrian Guard”.

Në vend të Ferit Markaj të shkarkuar me ndikimin e shoqatës së Ushtrisë në Vlorë, ushtaraku Drini Nikolla, vendos një tjetër person, emër ky që ja ka çuar me mesazh një anëtarësi e shoqatës dhe Damian Gjiknuri. Shkarkimet janë të pamotivuara, ndërkohë që punonjësit janë lënë në udhëkryq dhe të pashpjeguar, mbi motivin e largimit nga puna. Veç largimeve nga puna, Drini Nikolla, në kuadër të riorganizimit të strukturës së re të shoqërisë “Illyrian Guard”, ka vendosur të ulë në përgjegjësi disa nga punonjësit më të vjetër të kësaj kompanie. Heqja e përgjegjësave të shërbimit në tre qarqe, Rasim Smakaj në Shkodër, Ritmir Bilalaj në qarkun e Kukësit dhe Ferit Merkaj në Vlorë, ka sjellë pakënaqësi mes rradhëve të punonjësve të kësaj kompanie dhe një shkrehje të punës në këto tre qarqe. Për këto urdhra të marra në kundërshtim me Ligjin, administratori i “Illirian Guard”, Drini Nikolla është në një betejë ligjore në gjykatën Administrative me Rasim Smakaj në Shkodër dhe Ritmit Bilalaj në gjykatën e Kukësit.

Kujtojmë se administratorit Nikolla, sapo i është dorëzuar kërkesë padia nga Gjykata e Shkodrës, thërret me urgjencë Rasim Smakajn dhe i ofron një marrëveshje me qëllim shmangien e procedurave të gjyqit. Në shkëmbim të tërheqjes së padisë, Nikolla e emëron menjëherë atë, në detyrën e përgjegjësit të shërbimit për qarkun e Lezhës, meqënëse në Shkodër tashmë e kishte zëvendësuar me një drejtues tjetër. Veprime të tilla taktike administrator i kompanisë “Illyrian Guard”, Drini Nikolla, i ka bërë dhe vijon t’i bëjë me lehtësi. Gjatë qëndrimit në tij në krye të kompanisë shtetërore merr vendime të pabazuara në ligj dhe të papërgjegjshme. Dukshëm kjo situatë vërehet në revokimin e menjëhershëm të urdhrave të nxjerra nga vetë ai. Dhe kjo dallohet qartë kur njerëz me influencë politike, si deputetë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve dhe komisioneve të tjera, sapo i bëjnë një telefonatë, “ushtaraku i hekurt” tërhiqet nga shkarkimet dhe uljet në detyrë,duke çuar në vendin e mëparshëm personat.

Këto janë “nderet” që ai bën në dobi të personave në pushtet që i janë “lutur” atij për t’i emëruar X apo Y-nin në punë. Këtë rrjedhim logjik e vërtetojnë veprimet e përsëritura të Drini Nikollës në nxjerrjen dhe anulimin e urdhrave të tij ndaj hallexhinjve. Brenda një kohe shumë të shkurtër ky administrator, ka hequr pesë përgjegjësa shërbimi pa shkak. Vetëm dy nga këta përgjegjësa gjetën shpejt njerëzit e duhur (Miqtë) dhe menjëherë janë rikthyer në detyrë.

Pak më vonë edhe një nga ky grup i përgjegjësave, i quajtur Zarif Salaj, u rikthye në detyrë, por sërish pak ditë më vonë hiqet sërisht për herë të dytë. Veprime makiaveliste këto për një ushtarak të vjetër që sillet në një kompani sigurie shtetërore si amator dhe që është bërë marionetë e disa deputetëve të PS-së.

Brenda një muaji e gjysëm Zarif Salaj, i janë bërë 4 shkresa me ndëshkime, largime e rikthime si edhe një seancë dëgjimore para një komisioni disipline që funksionon jashtë procedurave të miratuara dhe që Drini Nikolla e përdor, si ato gjyqet popullore të dikurshme në frontin demokratik të lagjes, me qëllim realizimin e ndëshkimeve pa procedurë të rregullt.

Administratori i “Illyrian Guard” as nuk e njef Zarifin dhe as nuk e pret në zyrë edhe pse ai i ka kërkuar takim në mënyrë të përsëritur. Ndërkohë persona që duan të punësohen në këtë kompani, priten pa pushim në këtë kompani, mjafton motivi i nderit ndaj të fortëve. I forti bën çfarë të dojë se nuk ka kush ta kontrollojë dhe ta nxjerrë para përgjegjësisë.

Nga ana tjetër një Këshill Mbikëqyrës, që nuk e vë ujin në zjarr se çfarë po bën administratori i ri me kompaninë e sigurisë.

alert.al/