Ekonomia botërore po mbështetet gjithnjë e më shumë te inteligjenca artificiale, ndërsa varësia e lartë nga investimet në këtë sektor mund të kthehet në një rrezik për stabilitetin financiar global. Paralajmërimi vjen nga drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva, e cila vlerëson se një humbje e papritur e besimit të investitorëve mund të shkaktojë pasoja në rritjen ekonomike.
Sipas Georgievës, ekonomia globale po qëndron mbi atë që ajo e cilësoi si “një këmbë të vetme”, atë të inteligjencës artificiale. Nëse entuziazmi i tregjeve për këtë teknologji zbehet dhe investitorët tërhiqen, pasojat mund të shtrihen përtej kompanive të sektorit, duke prekur stabilitetin financiar ndërkombëtar.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën se si financohen kompanitë e inteligjencës artificiale. Sipas vlerësimeve të FMN-së, financimi qarkullues mes kompanive të sektorit ka kaluar 1 trilion dollarë, ndërsa rreth dy të tretat e kësaj shume mbështeten në borxh. Kjo skemë përfshin investime që, në mënyrë të tërthortë, rikthehen te investitorët përmes kontratave dhe porosive për blerje mes kompanive.
Georgieva pranon se shuma nuk përbën ende një rrezik të jashtëzakonshëm në vetvete, por ritmi i shpejtë i rritjes së saj kërkon vëmendje.
FMN-ja paralajmëron se nëse inteligjenca artificiale nuk arrin të përmbushë pritshmëritë e larta të tregut, mund të pasojë një korrigjim i fortë financiar. Në skenarin më negativ, aksionet amerikane mund të humbasin 20% të vlerës gjatë vitit 2026, ndërsa prodhimi ekonomik global mund të jetë 1.1% më i ulët se parashikimi bazë deri në vitin 2028.
Pesha e inteligjencës artificiale në ekonominë globale është rritur ndjeshëm. Investimet në këtë teknologji po nxisin tregtinë dhe zgjerimin ekonomik, ndërsa një pjesë e madhe e eksporteve botërore lidhet tashmë me produktet dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e saj.
Megjithatë, sipas Georgievës, pritshmëritë e investitorëve po ecin më shpejt sesa rezultatet konkrete që teknologjia ka arritur të dëshmojë. Për këtë arsye, ajo paralajmëron se korrigjimet në tregje janë të mundshme dhe se institucionet financiare duhet të qëndrojnë vigjilente.
Qendra Alert/Alert.al


