Menu

Kombetarja

Miqësorja me Uellsin/ Edy Reja: Nuk do të jetë e lehtë, e kam vendosur si do të luaj

Kombëtarja e Shqipërisë do të ndeshet në miqësore me Uellsin dhe Republikën Çeke, dy ekipe që do të jenë prezente në “Euro2020”. Dy arra të forta për ekipin shqiptar.

Tekniku italian Edi Reja e ka të qartë se sfida e së shtunës nuk i gjen në kushte optimale, gjithashtu rivali i tyre ka një potencial të madh fizik.

“Problemet e qershorit janë gjithmonë të tilla. Sepse përfundojnë kampionatet dhe lojtarët janë të lodhur. Uellsi ka një skuadër mjaft të mirë fizikisht, por edhe teknikisht. Jemi përpjekur të pushojmë dhe të mos ngarkohemi. Kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve. E dimë që nuk është e lehtë të përballesh me Uellsin. Ka eksperiencë dhe vlera të mëdha. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për ne. Nuk e di kush do të zbresë në fushë nga Uellsi, duke qenë se luajtën një miqësore me Francën të martën. Mendoj që trajneri i tyre do të bëjë një farë rrotacioni, duke hedhur në fushë lojtarë të freskët, por ne jemi përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë përballje. Do të fus skuadrën më të përgatitur në aspektin taktik.

Pikat e forta të Uellsit

“Pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi, kanë lojtarë të nivelit të lartë si Bejl dhe Xhejms. Bëjnë një futboll shumë të mirë dhe të shpejtë. Ata luajnë gjithmonë në Angli, por futbolli anglez nuk është më si dikur. Edhe në mbrojtje janë shumë të organizuar. Mendoj që mbrojtja është pika më e dobët. Duhet të jemi të kujdesshëm që të luajmë me kundërsulme dhe t’i zëmë në befasi”.

Formacioni?

“E kam vendosur disi si do të luajmë ndaj Uellsit. Në sulm kam disa alternativa, Balaj Seferi dhe Manaj janë në formë. Në mesfushë nuk kam dyshime, Bare ka bërë mirë ku gjithashtu edhe Çekiçi ka bërë shumë mirë. Mbrojtja dihet që Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti janë në formë, por gjithsesi do t’i shqyrtoj të gjithë dhe do të bëj zëvendësime për të provuar sa më shumë lojtarë. Nga krahët kam disa alternativa dhe do të vendos nesër.

Ku ngjasojnë Uellsi me Çekinë?

“Janë dy skuadra shumë të forta si Uellsi dhe Çekia. Uellsi është pak më e ngjashme me Poloninë, ndërsa Çekia me Hungarinë. Uellsi ka një grup lojtarësh shumë të fortë. Për ne është e rëndësishme që të kolaudojnë ekipin. Këto dy ekipe janë kualifikuar në Europian, Uellsi mund të bëjë edhe surpriza në Europian. Merreni me mend çfarë niveli janë. E rëndësishme është të gjejmë mënyrën e duhur të lojës dhe të shikojmë sa jemi rritur, në mënyrë që të bëjmë analizat e duhura dhe të shikojmë se ku mund të arrijmë”, shprehet trajneri italian.

Cilat ekipe janë favorite për të fituar Kampionatin Evropian?

“Italia është favorite për të fituar grupin, për të fituar Europianin e shikoj në 3 favoritet kryesore, së bashku me Anglinë dhe Francën. Për sa i përket Uellsit, ka shumë lojtarë me vlera dhe mund t’i hapë probleme. qoftë Italisë, edhe kundërshtarëve të tjerë”, tha trajneri italian Reja.

alert.al

Dy ndeshjet miqësore, Cikalleshi: Uellsi dhe Republika Çeke na vlejnë si provë zjarri

Sulmuesi i kombëtares Sokol Cikalleshi e konsideron Uellsin një kundërshtar tepër të vështirë, që tregon se deri ku mund të shkojë përfaqësuesja kuqezi. Ndërkohë mesfushori Keidi Bare është shumë optimist për skuadrën e drejtuar nga Reja pasi është i bindur se i ka mundësitë për të shkuar në Botëror.

Kombëtarja shqiptare prej dy ditësh gjendet në Uells aty ku po stërvitet për ndeshjen miqësore të 5 qershorit ndaj këtyre të fundit.

“Uellsi është një ekip që ka shkuar në Europian, është një ekip fizikisht shumë i mirë. Besoj gjithashtu se është në një nivel me kundërshtarët tanë në ndeshjen e shtatorit,”-u shpreh Cikalleshi.

Sipas sulmuesit të Kombëtares dy përballjet, pasi me datë 8 qershor Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore kundër Republikës Çeke, do të tregojnë nëse ne jemi gati apo jo për ndeshjet kualifikuese të Botërorit në shtator.

“Janë miqësore, por për ne nuk janë të tilla sepse na tregojnë nivelin ku jemi përpara dy ndeshjeve që konsiderohen provë zjarri në shtator,”-deklaroi Cikalleshi.

Nëse për Cikalleshin ka dyshime e kundërta thuhet për mesfushorin Keidi Bare, i cili është shumë optimist për kuqezinjtë.

“Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Ashtu si kombëtarja shqiptare arriti kualifikimin në Europian para disa vitesh pse mos ta bëjmë diçka të tillë edhe në Botëror. Do ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët, për futbollistët dhe për shtetin tonë. Do japim maksimumin për ta realizuar këtë qëllim,”-u shpreh Keidi Bare.

Të dy ndeshjet miqësore kombëtarja e drejtuar nga Edy Reja do t’i luajë në transfertë, ndërsa si Uellsi ashtu edhe Republika Çeke janë pjesë e Europianit që nis me 11 qershor.

alert.al/