E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Elda Rama Ziu, inxhiniere teknologe ka folur për domosdoshmërinë e aditivëve ushqimor në produkte të përpunuara, rolin e konservantëve dhe industritë ku përdoren.
“Nuk ekzistojnë produkte të përpunuara pa aditivë ushqimor, madje edhe frutat e perimet janë me kimikate, si psh prania e pesticideve. Por është vendosur një normë e lejuar që duhet ndjekur për të mos dëmtuar konsumatorin. Duhet të jemi të kujdesshëm me konservantët dhe pesticidet, të cilët përdoren për të rritur jetëgjatësinë e produktit, por edhe konsumatori duhet të tregojë kujdes pasi çdo gjë e tepruar është e dëmshme. Në Shqipëri kemi përkthime, përshtatje të legjislacionit Europian, pasi Komuniteti Europian është hapa para nesh, por problemi mbetet me zbatimin. Aditivët nuk janë vetëm konservantët, janë dhe shtesat e tjera. Konservanti ka si rol të ruajë ngjyrën dhe nuk ka produkte pa konservant, pasi na japin edhe siguri. Konservantët nga 200-299 E janë nitritet, nitratet, sulfatet dhe janë grupi me i studiuar se lidhet me efektet që kanë në organizmin e njeriut. Diskutimi mbetet tek doza, ku nuk lejohet më shumë se 100 mg për 1 kg produkt, sipas EFSA-s. Nitriti në rastin e mishit, rekomandohet të futet në ngrirje dhe jo në ambient të freskët, pasi nuk reziston me shumë se 3 -4 ditë. Nëse do të shtojmë jetëgjatësinë, duhet të shtojmë shtesat dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me lëndë të parë, por të përpunuar”-deklaroi teknologia.
Teknologia Elda Rama Ziu renditi klasën e aditivëve dhe rolin e tyre në produktet ushqimore. “Aditivët, përveç konservantëve janë ngjyruesit, me origjinë bimore dhe kimike. Në industrinë ushqimore përdoren bimore, të cilët janë me E nga 100-199, ndërsa ato me prejardhje kimike janë me shkronjën C dhe përdoren për ngjyrosjen e vezëve të pashkëve. Anti-oksiduesit kanë rol konservues, ku në industrinë e mishit përdoren për të ruajtur ngjyrën, pasi produktet oksidohen dhe përdoret në të gjitha llojet e industrive. Grupi i trashësve, nga 400-499 E, i japin një lloj konsinence produktit. Rregulluesit e aciditetit bëjnë homogjenizimin e produktit, janë më pak të përdorshëm. Ndërsa shijuesit janë 600-699 E dhe është më i zakonshmi. Janë listuar të gjithë aditivët, sasitë e tyre, por sa mund të kontrollohen? Uroj që me udhëzimin e ri diçka të ketë ndryshuar, por e dyshoj”-tha Elda Rama Ziu.
Qendra Alert/Alert.al
