Menu

Vezë dhe reçel boronicash të kontaminuara u hodhën në treg për konsum

Ministria e Shëndetësisë së Italisë ka njoftuar dy tërheqje të reja produktesh ushqimore nga tregu, pas konstatimit të pranisë së bakterit Salmonella. Bëhet fjalë për 18 lote vezësh të markës “Latteria Chiuro” dhe një seri reçeli ekstra boronicash të markës “Cascina Balcarino”.

Në rastin e vezëve, tërheqja lidhet me praninë e bakterit Salmonella enteritidis. Produkti tregtohet në paketime me nga 6 vezë, të kategorisë A dhe përfshin 18 lote me kode nga 241026 deri në 121126, me data skadence nga 24 tetori deri më 12 nëntor 2026.

Një detaj shqetësues i njoftimit është vonesa në publikimin e tij. Njoftimi mban datën 23 tetor, por Ministria e Shëndetësisë e publikoi vetëm pasditen e 29 tetorit. Si pasojë, në momentin e njoftimit, një pjesë e loteve kishin kaluar tashmë datën e skadencës.

Vezët janë prodhuar nga La Quercia Società Cooperativa Sociale, në fabrikën që ndodhet në Mese, në provincën e Sondrios, Itali. Kjo nuk është hera e parë që raportohen probleme me salmonelën në vezët e kësaj kompanie. Më herët, Ministria kishte njoftuar tërheqjen e vezëve të së njëjtës kompani, të tregtuara nën markën “La Quercia”.

Rasti i dytë lidhet me reçelin ekstra të boronicave “Cascina Balcarino”, i cili është tërhequr gjithashtu për shkak të pranisë së Salmonelës. Produkti shitet në kavanoza 340 gramë dhe identifikohet me numrin e lotit 30/03/2026, me datë skadence 30 mars 2029.

Reçeli është prodhuar nga kompania Cascina Balcarino, në pronësi të Manfredini Gianmarco, në fabrikën e saj në Orzinuovi, në provincën e Brescias, Itali.

Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve që të mos konsumojnë produktet me numrat e loteve të identifikuara. Ata që i kanë blerë këto produkte këshillohen t’i kthejnë në dyqanin ku i kanë marrë. (IlFattoAlimentare)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts