Teksa raftet e marketeve janë të tejmbushura me vezë “Made in Albania”, diçka që konsumatorët nuk e kuptojnë është origjina e vërtetë e një pjese prej tyre. Megjithëse ambalazhet janë shqiptare, etiketimi thotë se janë prodhim shqiptar, ka të ngjarë që një pjesë e madhe e tyre të jenë të importuara nga Serbia.
Pak ditë më parë, Qendra ALERT i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sasitë e importit dhe emrat e kompanive importuese për vezët nga Serbia dhe Turqia për periudhën janar-gusht 2026. Sot, Drejtoria e Doganave, si institucioni në fakt që iu përgjigjet sistematikisht në kohë reale dhe më shumë korrektësi kërkesave për informacion, në përgjigjen e saj saktësonte sasitë e importuara nga Serbia, ndërsa nga Turqia nuk kemi pasur import vezësh për këtë periudhë. Ndersa Doganat nuk bëjnë të ditur emrat e importuesve, sasia e ardhur nga Serbia në të dhenat e doganës rezulton me kilogramë dhe jo me kokrra. Pra, sipas të dhënave të Doganave, në 8 muaj kemi importuar nga Serbia 534,846 kilogramë vezë.
E kthyer në numër kokrrash, duke mos ditur dhe madhësinë e vezëve, S, M, L apo XL, është paksa e vështirë për të nxjerrë një shifër të saktë. Por, duke iu referuar Rregullores së AKU “Për vezën”, presupozojmë se të gjithe importet janë vezë të madhësisë L. Pesha e një veze L varion nga 63 gram deri në 73 gram. Dhe këtu llogaritem mesataren 68 gram për kokërr. Sipas kësaj „matemarike“, gjatë 8 muajve janë importuar në Shqipëri 7,862,236 kokrra vezë. Nëse një pjesë e tyre kanë qenë të masës M apo S, atëherë shifrat janë edhe më të mëdha.
Përveç mashtrimit të konsumatorëve me origjinën e produktit që blejnë e konsumojnë, problem mbeten dhe siguria ushqimore. Së pari, askush nuk e vërteton nëse kanë qenë vezë të Klasit A, pra për konsum, apo të Klasit B, për përpunim për industrinë. Logjika e biznesit të çon tek kjo e dyta, pasi për shkak të Influencës Aviare në vitet e fundit në rajon dhe Evropën Qëndrore, numri i shpendëve ka rënë e për arsye dhe të kërkesës së madhe, vezët e Klasit A kanë pasur çmim të lartë.
Ndërkaq, një vezë e ka jetëgjatësinë 28 ditë nga momenti që del nga pula. Pra, sa është mbajtur në Serbi, transporti, mbajtja në magazinat në Shqipëri, vulosja gjoja si shqiptare e koha në raftet e marketeve. Pra, duke rrezikuar seriozisht konsumatorët dhe duke treguar që afatet prodhim dhe skadencë në ambalazh nuk janë aspak të sakta.
©Qendra ALERT


