Tre të rinj u arrestuan nga Policia Kriminale në Tiranë, pasi janë kapur duke bërë tregti armësh zjarri. Bazuar në informacionet operative se këtë shtetas merreshin me shit-blerje armësh, Policia ka organizuar operacionin “Armatimi” dhe i ka arrestuar.
Të arrestuarit janë: Indrit Dumi, 30 vjeç, Mario Çelmeta, 30 vjeç dhe Fabion Dumi, 27 vjeç, të tre banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Tiranë, për hetime të mëtejshme.
Operacioni
Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe të strukturave hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se këta 3 shtetas merreshin me shitjen e armëve të zjarrit. Bazuar në këto prova, gjatë operacionit, në fshatin Vishnje, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Smart” me drejtues shtetasin Fabion Dumi dhe pasagjer shtetasin Mario Çelmeta, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:
• 1 armë zjarri mitraloz të lehtë, 2 automatikë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 3 aparate celular. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe automjeti.
Shtetasi Indrit Dumi i priste 2 shtetasit e tjerë në vendin e takimit, në fshatin Vishnje, për të marrë armët dhe municionet. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.


