Pas helmimit të një nate më parë të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, AKU ka publikuar një njoftim zyrtar, sipas të cilit menjëherë pas njoftimit janë marrë masat e duhura dhe kontrolluar vendi ku gatuante kompania SORI-AL, e cila kishte fituar të drejtën e shërbimit të ushqimit për studentët e Policisë, si dhe për shumë institucione të tjera. Sipas njoftimit të AKU, nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë. „Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV. Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë“, njofton AKU. Sipas saj, për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.
Ndërkohë, policia më herët, policia njoftoi se ka arrestuar teknologen, kuzhinjerin dhe ka shpallur në kërkim administratoren Alma Tafani.


