Menu

Masakër mjedisore në Lushnjë: Rezervuari thahet dhe tonelata peshqit ngordhin

Tonelata peshqish kanë ngordhur në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, pasi ujëmbledhësi është tharë në kuadër të punimeve për rehabilitimin e shkarkuesit kryesor. Një sipërfaqe e madhe e rezervuarit tashmë është kthyer në baltë, ndërsa mijëra peshq kanë ngordhur, duke krijuar një situatë të rëndë mjedisore.

Situata në terren ka sjellë edhe ndërhyrjen e Policisë së Lushnjës, e cila ka nisur procedim penal ndaj administratorit të firmës “Fled” sh.p.k., Fredi Marra. Sipas policisë, gjatë punimeve për rikonstruksionin e digës së dëmtuar, kompania nuk ka marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë ngordhjen e një numri të konsiderueshëm peshqish. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ku hetimet po zhvillohen për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” dhe “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Rezervuari u tha për të ndërhyrë te shkarkuesi

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985, ka një sipërfaqe prej rreth 190 hektarësh dhe një kapacitet prej 11 milionë metrash kub ujë. Ai përdoret për ujitjen e tokave në Myzeqe, por edhe për kultivimin e peshkut.

Në vitin 2025, Bashkia e Lushnjës akordoi 32.9 milionë lekë për rehabilitimin e shkarkuesit të rezervuarit. Punimet duhej të kishin përfunduar rreth një vit më parë, por afati është shtyrë pas kërkesës së kompanisë që ka fituar tenderin.

Në terren, ndërkohë, mbetet një rezervuar i tharë dhe një sasi e madhe peshqish të ngordhur. Banorët pretendojnë se rrjetat e vendosura përpara shkarkuesit nga administrimi i mëparshëm i peshkimit mund të kenë ndikuar në bllokimin e tij. Kjo është një tjetër pikë që pritet të sqarohet gjatë hetimit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse dhe në çfarë mase menaxhimi i ujit gjatë punimeve mund të ishte bërë në një mënyrë që të shmangte ngordhjen masive të peshqve.

Në terren ka qenë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla i cili ia atribuoi përgjegjësinë për situatën pushtetit vendor.

“Kjo është totalisht e bashkisë. Ne jemi në ndihmë të bashkisë dhe për ta asistuar në të gjithë mënyrën me Bordin e Kullimit, me drejtorin e Peshkimit dhe gjithë stafin e Ministrisë së Bujqësisë” deklaroi Salla.

Ministri tha gjithashtu se subjekti që kishte kontratën për shfrytëzimin e peshkut deri në vitin 2022 ishte njoftuar nga bashkia për largimin e peshkut përpara nisjes së ndërhyrjes.

Kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, e pranishme në terren nuk dha koment për situatën apo për mënyrën se si është administruar ndërhyrja.

Puna për pastrimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë vijon pas ngordhjes masive të peshqve që ndodhi pas zbrazjes së ujit për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts