Mbi 68 mijë kontrolle zyrtare janë kryer në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht 2026, ndërsa laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë identifikuar 95 mostra jashtë standardit të sigurisë. Të dhënat u bënë publike nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një seance ku u prezantuan masat dhe kontrollet për sigurinë ushqimore.
Salla tha se siguria ushqimore nuk duhet të matet vetëm me numrin e inspektimeve dhe gjobave, por me aftësinë e institucioneve për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet që mund të prekin konsumatorin.
“Siguria ushqimore nuk mund të reduktohet te një numër inspektimesh apo te një listë gjobash. Ajo është aftësia e shtetit për të dalluar rrezikun, për të parandaluar që produkti i pasigurt të arrijë te qytetari dhe për të vepruar shpejt kur një problem zbulohet.”
Sipas të dhënave të Ministrisë, AKU ka kryer 68 872 kontrolle zyrtare në tetë muaj. Prej tyre, 8 242 kanë qenë inspektime në terren, ndërsa 60 630 kontrolle janë kryer në Pikat e Inspektimit Kufitar. Kontrollet në terren janë kryer si në bazë të planifikimit sipas riskut, ashtu edhe pas ankesave, njoftimeve apo nevojave të tjera të identifikuara nga institucionet.
Në laboratorët e AKU-së janë pranuar 3 337 mostra dhe janë analizuar 5 719 tregues analitikë. Rreth 42% e mostrave kanë ardhur nga kontrollet në kufi, ndërsa 55.4% nga kontrollet në terren.
Një nga rastet e përmendura nga ministri lidhet me importet e mishit të pulës nga Brazili. Gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra të produkteve shtazore të importuara nga vendet e treta, 30 prej të cilave nga Brazili. Në dy raste të mishit të pulës janë konstatuar mbetje substancash veterinare.
Në njërin rast, produkti ishte bllokuar dhe izoluar në frigoriferët e operatorit dhe sipas ministrisë, nuk kishte dalë në treg. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit dhe institucionet kërkuan gjurmimin e tij dhe njoftimin e klientëve.
“Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit.”
Për importet nga Brazili, ministria ka njoftuar se nga 3 shtatori 2026 kanë hyrë në zbatim ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Ndërkohë, për mishin e derrit janë zhvilluar komunikime me autoritetet braziliane për rishikimin e marrëdhënieve tregtare.
Një tjetër mekanizëm i përdorur për identifikimin dhe ndjekjen e produkteve problematike është sistemi RASFF. Gjatë janarit-shtatorit, AKU ka marrë 34 njoftime përmes këtij sistemi, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet shqiptare.
Në fokus të institucioneve është edhe forcimi i kapaciteteve laboratorike. Sipas ministrisë, ISUV ka mirëmbajtur akreditimin sipas standardit ISO 17025:2017 për 1 945 teste dhe e ka zgjeruar atë me 354 teste të reja.
Ndërkohë, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim gjatë vitit 2026, janë vlerësuar 696. Prej tyre, 19 janë renditur në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV.
Ministria synon që deri në dhjetor të përgatisë Programin Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Në fokus është edhe cilësia e qumështit të papërpunuar, përmes kontrolleve në ferma, analizave të përsëritura dhe masave për përmirësimin e higjienës, ftohjes dhe transportit.
Sipas Sallës, forcimi i sigurisë ushqimore lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe me zbatimin e Kapitullit 12.
“Për ne, Kapitulli 12 nuk është një ushtrim dokumentesh. Ai është një proces për ta bërë sistemin shqiptar të kontrollit ushqimor të funksionojë sipas standardit evropian” tha Salla.
Në këtë kuadër, ministria thotë se po përgatiten investime në laboratorë, pika kontrolli kufitar, pajisje për analizat dhe ambiente për ruajtjen e produkteve të bllokuara ose jokonforme, ndërsa përmes projekteve me mbështetjen e BE-së synohet edhe forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe digjitalizimi i gjurmueshmërisë.
Qendra Alert/Alert.al


