Produktet me ambalazhe tërheqëse dhe etiketime që premtojnë “shije dhe ushqyerje” mund të fshehin në përbërjen e tyre aditivë që kërkojnë vëmendje të veçantë, sidomos kur bëhet fjalë për ushqimet dhe pijet që konsumohen nga fëmijët.
Ngjyruesit dhe aditivët ushqimorë janë prej kohësh një shqetësim për konsumatorët, të cilët përpiqen të zgjedhin produkte sa më natyrale, por shpesh e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë përmban realisht një produkt vetëm duke parë paketimin.
Rasti i një pije me tërshërë dhe luleshtrydhe, “Avena Fragola” e San Benedetto, ngre pikërisht këtë pikëpyetje, sa i kushtojnë konsumatorët rëndësi asaj që shkruhet në pjesën e përparme të paketimit dhe sa prej tyre lexojnë deri në fund shkronjat e vogla në pjesën e pasme?
Në pjesën e përparme të produktit bie në sy mes të tjerash edhe shprehja “shije dhe ushqyerje”, një formulim që mund të krijojë te konsumatori perceptimin e një zgjedhjeje të shëndetshme. Por, tabloja ndryshon kur kalohet te lista e përbërësve.
Mes tyre rezulton E129, Allura Red AC, një ngjyrues sintetik për të cilin legjislacioni europian kërkon që produktet që e përmbajnë të shoqërohen me një paralajmërim të posaçëm lidhur me fëmijët.
Paralajmërimi është i qartë: “Mund të ketë efekt negativ në aktivitetin dhe vëmendjen e fëmijëve.”
Pra, informacioni që mund të jetë vendimtar për një prind nuk është domosdoshmërisht ai që bie më shumë në sy në raft. Ai gjendet në pjesën e pasme të paketimit, mes një liste përbërësish të shkruar me karaktere shumë më të vogla.
Çfarë fshihet pas imazhit “të shëndetshëm”?
Ngjyruesit dhe aditivët ushqimorë janë një nga zonat ku konsumatori përballet me një hendek të madh mes marketingut dhe informacionit teknik të produktit.
Një paketim mund të komunikojë natyralitet, ushqyerje apo një alternativë ndaj produkteve tradicionale, ndërsa lista e përbërësve mund të tregojë një realitet shumë më kompleks.
Kjo nuk do të thotë automatikisht se një produkt është i rrezikshëm apo se përdorimi i një aditivi e bën atë të pasigurt. Por, prania e një paralajmërimi të detyrueshëm është informacion që konsumatori duhet ta dijë përpara se të bëjë zgjedhjen e tij, veçanërisht kur produkti u jepet fëmijëve.
Rasti i “Avena Fragola” tregon se etiketa është shpesh vendi ku zbulohet ajo që nuk duket në pjesën e përparme të paketimit.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi për konsumatorin, një produkt mund të tërheqë vëmendjen me imazhin, sloganin dhe premtimin për ushqyerje, ndërsa përbërësit që kërkojnë më shumë vëmendje fshihen në shkronjat e vogla në pjesën e pasme.
Për prindërit, leximi i etiketës nuk është thjesht një zgjedhje. Është mënyra më e drejtpërdrejtë për të kuptuar se çfarë përmban realisht produkti që po vendosin në shportë. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al

