Qumështi i papërpunuar, i promovuar shpesh si produkt më natyral dhe më i shëndetshëm, mund të përbëjë rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar. Pediatrit amerikanë kërkojnë sërish ndalimin e shitjes së tij dhe të produkteve të prodhuara prej tij, duke paralajmëruar për rrezikun e infeksioneve bakteriale dhe shqetësimet e reja që lidhen me virusin e gripit të shpendëve H5N1.
Shoqata Amerikane e Pediatrisë ka bërë thirrje për ndalimin e shitjes së qumështit të papasterizuar dhe produkteve të prodhuara prej tij, përmes një dokumenti të publikuar në revistën shkencore Pediatrics. Ekspertët argumentojnë se ky produkt nuk ofron përfitime të rëndësishme ushqyese krahasuar me qumështin e pasterizuar, ndërsa mbart rreziqe të dokumentuara për shëndetin.
Sipas të dhënave të paraqitura në dokument, rreth gjysma e infeksioneve ushqimore të lidhura me konsumimin e qumështit të papërpunuar prekin persona nën moshën 20 vjeç. Në shumë raste, bëhet fjalë për fëmijë nën moshën 5 vjeç, të cilët janë veçanërisht të cenueshëm ndaj infeksioneve të rënda.
Rreziqet nga bakteret dhe infeksionet e rënda
Qumështi që nuk i është nënshtruar pasterizimit mund të përmbajë mikroorganizma të rrezikshëm, si Listeria monocytogenes, Campylobacter jejuni, baktere të gjinisë Salmonella, Brucella dhe disa shtame të Escherichia coli, përfshirë E. coli O157.
Këta patogjenë mund të shkaktojnë infeksione që kërkojnë shtrimin në spital dhe në rastet më të rënda, mund të sjellin dëmtime afatgjata të shëndetit.
Rreziku është veçanërisht i lartë për gratë shtatzëna. Listerioza, një infeksion që mund të transmetohet përmes ushqimeve të kontaminuara, shfaqet shumë më shpesh gjatë shtatzënisë dhe mund të shkaktojë lindje të parakohshme, abort spontan, vdekje të fetusit ose komplikacione serioze te i porsalinduri.
Shqetësimi i ri, virusi i gripit të shpendëve H5N1
Përveç rreziqeve bakteriale të njohura, vëmendja e ekspertëve është përqendruar edhe te virusi i gripit të shpendëve H5N1, pas përhapjes së tij në tufat e lopëve në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2024.
Virusi është zbuluar në qumështin e lopëve të infektuara, duke ngritur shqetësime për sigurinë e konsumimit të qumështit të papërpunuar. Në disa zona të prekura nga shpërthimet, testimet e kryera gjatë krizës së vitit 2024 zbuluan praninë e virusit në një pjesë të konsiderueshme të mostrave të qumështit të papasterizuar.
Edhe pse transmetimi i drejtpërdrejtë te njerëzit përmes konsumimit të qumështit të papërpunuar nuk është konfirmuar, ekspertët paralajmërojnë se prania e virusit në këto produkte përbën një shqetësim të rëndësishëm për shëndetin publik. Pasterizimi është një masë thelbësore për kontrollin e rrezikut nga patogjenët në qumësht.
Pretendimet për përfitime shëndetësore, pa prova bindëse
Një nga arsyet që ushqen konsumin e qumështit të papërpunuar është perceptimi se ai është më natyral, më ushqyes dhe më i dobishëm për fëmijët. Por ekspertët kundërshtojnë këtë pretendim.
Sipas tyre, qumështi i papasterizuar nuk ofron përparësi të rëndësishme ushqyese krahasuar me atë të pasterizuar, ndërsa mungesa e trajtimit termik lë të paprekur rrezikun nga mikroorganizmat patogjenë.
Pasterizimi, procesi i ngrohjes së qumështit në temperatura të përcaktuara për një kohë të caktuar, synon të shkatërrojë mikroorganizmat e rrezikshëm pa ndryshuar në mënyrë thelbësore vlerat ushqyese të produktit.
Italia lejon shitjen, por kërkon më shumë kontrolle.
Në Itali, ku shitja e qumështit të papërpunuar lejohet nën kushte të caktuara, diskutimi është përqendruar te forcimi i kontrolleve dhe përgjegjësia e operatorëve ushqimorë. Udhëzimet e përditësuara në vitin 2025 i kushtojnë vëmendje të veçantë baktereve STEC, shtame të E. coli që prodhojnë toksina Shiga dhe mund të shkaktojnë komplikacione serioze.
Në mungesë të pasterizimit, prodhuesit duhet të identifikojnë dhe të zbatojnë masa efektive për të parandaluar ose ulur rrezikun e kontaminimit në nivele të pranueshme. Megjithatë, dokumenti parashikon edhe rekomandime për informimin e konsumatorëve në etiketë, kur rreziku nuk mund të eliminohet plotësisht.
Kjo do të thotë se përgjegjësia për sigurinë e produktit mbështetet në masat e kontrollit të zbatuara nga operatorët ushqimorë, ndërsa informacioni i dhënë konsumatorit merr rëndësi të veçantë për një zgjedhje të informuar.
Në të njëjtën kohë, në rajonin italian të Lombardisë është paraqitur një mocion nga përfaqësuesi i partisë Fratelli d’Italia, Giacomo Zamperini, për të kërkuar lehtësime dhe përjashtime më të gjera për prodhuesit e vegjël të zonave malore dhe kullotave alpine.
Debati nxjerr në pah përplasjen mes interesave të prodhuesve dhe nevojës për të garantuar sigurinë ushqimore. Për ekspertët e shëndetit publik, megjithatë, mbrojtja e konsumatorëve, veçanërisht e fëmijëve dhe grupeve më të rrezikuara, duhet të mbetet përparësi. (IlFattoAlimentare)
Qendra Alert/Alert.al


