Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka reaguar në lidhje me dëmtimin e disa degëve bankare dhe ATM-ve gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë. Për shkak të situatës dhe në funksion të sigurisë së klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë reduktuar përkohësisht numrin e degëve në funksion ose kanë kufizuar oraret e shërbimit. Në një njoftim për publikun, AAB sqaron se në raste të caktuara nuk ka qenë e mundur të ofrohen shërbimet bankare me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm. Shoqata dhe bankat anëtare u kërkojnë klientëve mirëkuptim për vështirësitë dhe vonesat e mundshme. Shërbimet do të vijojnë sipas orareve dhe kushteve të përcaktuara nga secila bankë, në varësi të zhvillimeve në terren dhe vlerësimeve të sigurisë. Për këtë arsye, klientëve u rekomandohet të kontrollojnë njoftimet zyrtare në faqet e internetit dhe kanalet e komunikimit të bankës së tyre përpara se të paraqiten në degë.AAB inkurajon gjithashtu përdorimin e kanaleve bankare digjitale për pagesat, transfertat dhe transaksionet e tjera që mund të kryhen në distance.
AAB: Dëmet materiale nuk cenojnë depozitat e klientëve.
Shoqata Shqiptare e Bankave thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe se sulmet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve bankare nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sistemit bankar.Sipas AAB-së, bankat vijojnë të zbatojnë procedurat për garantimin e sigurisë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.Në deklaratë, shoqata nënvizon rëndësinë e sistemit bankar si infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare. Përmes kreditimit të familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimit të pagesave dhe transaksioneve, punësimit dhe kontributit në të ardhurat e buxhetit të shtetit, sektori bankar luan një rol të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik të vendit.Në këtë kontekst, AAB u bën thirrje qytetarëve të ruajnë sistemin bankar dhe financiar si një e mirë e përbashkët dhe të shmangin sulmet ndaj degëve të bankave dhe objekteve të tjera financiare.Bankat mbeten të angazhuara për rikthimin e shërbimeve në normalitet sa më shpejt që kushtet e sigurisë ta lejojnë, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.
Qendra Alert/Alert.al


