Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026, por kjo rritje nuk përkthehet domosdoshmërisht në më shumë vende pune cilësore dhe paga më të larta.
Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vlerëson se papunësia në Shqipëri ka zbritur në nivelin më të ulët historik dhe pagat vijojnë të rriten. Megjithatë, ekonomia mbetet e varur nga turizmi dhe shërbimet, ndërsa produktiviteti i ulët dhe baza e ngushtë e eksporteve kufizojnë potencialin për rritje afatgjatë.
Sipas Bankës Botërore, për të ruajtur ritmin e rritjes dhe për t’u afruar me nivelet e Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të investojë në aftësitë profesionale, të rrisë produktivitetin dhe të krijojë kushte që bizneset të investojnë e të zgjerohen.
Raporti thekson gjithashtu se lehtësimi i barrierave tregtare dhe procedurave administrative mund të nxisë investimet, eksportet dhe punësimin. Megjithatë, qëndrueshmëria ekonomike, e vetme, nuk mjafton për të krijuar vendet cilësore të punës që i nevojiten rajonit. Në aspektin fiskal, Banka Botërore evidenton se borxhi publik i Shqipërisë ka zbritur nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa bilanci buxhetor dhe pozicioni i jashtëm i vendit janë përmirësuar.
Me një rritje të parashikuar prej 3.4%, Shqipëria renditet e dyta në rajon, pas Kosovës me 3.6%. Më pas vijnë Maqedonia e Veriut me 3.3%, Mali i Zi me 3.2%, Serbia me 3.1% dhe Bosnjë-Hercegovina me 2.4%. Rritja mesatare ekonomike e Ballkanit Perëndimor parashikohet në 3.1% për vitin 2026.
Qendra Alert/Alert.al


