Menu

Prençe: Paketa fiskale 2027 godet biznesin, eksportet në rënie dhe investitorët në pasiguri

I ftuar në emisioni “Alert” në News24, kryetari i shoqatës “Pro-Eksport Albania” Edvin Prençe, kritikoi mënyrën se si qeveria po menaxhon situatën ekonomike dhe për paketën fiskale 2027. Sipas tij, bizneset po përballen me rritje kostosh, pengesa në aktivitetin e tyre dhe mungesë të politikave mbështetëse, ndërsa rritja e taksave rrezikon të rëndojë më tej prodhimin dhe eksportet.

Prençe thekson se biznesi mbështet të drejtën për protestë, por jo dhunën dhe dëmtimin e pronës. Sipas tij, sipërmarrja ka nevojë për ndryshime dhe për një reagim të fortë ndaj problematikave ekonomike, por jo për situata që sjellin pasoja të drejtpërdrejta për aktivitetin tregtar. “Duke mbështetur protestën, por jo dhunën, biznesi është i pari që është pro. Kishte nevojë për një impakt tronditës, por jo të dhunshëm” shprehet ai.

Kreu i “Pro-Eksport Albania” nënvizon se shumica e bizneseve nuk kanë lidhje me politikën dhe se pasojat ekonomike nuk duhet të rëndojnë mbi sipërmarrësit dhe punonjësit që përpiqen të mbajnë aktivitetin e tyre në këmbë.

Ai kritikon mënyrën se si është menaxhuar situata dhe shpreson që dëmshpërblimi për bizneset e prekura të bëhet sa më shpejt.

Një nga shqetësimet kryesore të Prençes lidhet me paketën fiskale 2027, e cila sipas tij, nuk është konsultuar me përfaqësuesit e biznesit. “Ne po flasim për një paketë fiskale 2027, për detyrime që biznesi duhet të zbatojë në vitin 2027, por vetë biznesi i merr vesh nga media. Këtu fillon handikapi” deklaron ai.

Sipas Prençes, mungesa e konsultimit krijon pasiguri dhe e vështirëson planifikimin e sipërmarrjeve, veçanërisht në një periudhë kur kostot janë rritur dhe aktiviteti ekonomik po përballet me presione të shumta.

Ai kundërshton gjithashtu ndryshimet në taksimin e pagave, duke argumentuar se ato mund të rëndojnë mbi punonjësit me të ardhura mesatare. “Ndërhyrja prek pagat e mesme. Këto fasha i mbajnë punonjësit nën presion fiskal. Ku është politika sociale që duhet të mbështesë familjet me fuqi më të ulët blerëse?” u shpreh Prençe.

Sipas tij, politika fiskale duhet të mbështesë punonjësit dhe të garantojë një taksim të drejtë, duke marrë parasysh rolin që ata kanë në funksionimin e biznesit. “Punonjësit janë aseti më i rëndësishëm i biznesit. Duhet të ketë taksim të drejtë dhe mbështetje për ta” thekson ai.

Rritja e dividendit në 15% dhe kostot për eksportuesit

Prençe shpreh shqetësim për propozimin që tatimi mbi dividendin të rritet nga 8% në 15%, duke argumentuar se kjo masë, së bashku me ndryshimet e tjera fiskale, mund të ndikojë në vendimmarrjen e sipërmarrjeve dhe në aftësinë e tyre për të investuar.

“Rritja e taksave po deformon ekonominë dhe po krijon një shok për biznesin e ardhshëm” shprehet ai.

Sipas kreut të “Pro-Eksport Albania”, ulja e TVSH-së për produktet e shportës nuk mund të shihet e shkëputur nga kostot e tjera që rëndojnë mbi biznesin. Nëse disa detyrime ulen, por të tjera rriten, efekti përfundimtar mund të mos jetë lehtësues.

Ai thekson se eksportuesit kanë nevojë për politika mbështetëse konkrete, por kjo mbështetje, sipas tij nuk është reflektuar mjaftueshëm në paketën e propozuar. “Për eksportuesit duhet të kishte më shumë fokus, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur” deklaron Prençe.

Ai paralajmëron se rritja e kostove dhe pengesat administrative mund të dobësojnë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet e huaja.

Prençe ngre shqetësimin edhe për rritjen e deficitit tregtar. “Jemi të detyruar të blejmë jashtë, ndërsa eksportet kanë humbur fuqinë. Janë vlera ekonomike nga të cilat po përfitojnë shtetet e tjera” shprehet Prençe.

Ai e konsideron këtë prirje një rrezik për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi dobësimi i prodhimit dhe eksporteve ndikon te punësimi, investimet dhe krijimi i vlerës brenda Shqipërisë.

Kryetari i shoqatës paralajmëron se pasiguria, rritja e taksave dhe pengesat administrative mund të dekurajojnë investitorët e huaj, veçanërisht ata që kërkojnë stabilitet dhe kushte të parashikueshme për investimet afatgjata.
“Investitorët sot janë në pikë të hallit. Pse duhet të vijë dikush të investojë? Jemi një treg shumë i vogël. Ata që vijnë i kthejmë në investitorë strategjikë” argumenton ai.

Prençe sjell si shembull edhe vështirësitë e prodhuesve shqiptarë për të konkurruar me produktet e importit, duke kritikuar mungesën e vëmendjes ndaj prodhimit vendas.

“Shitet patatja gjermane dhe e jona hidhet. Askush nuk shqetësohet” shprehet ai.

Në përfundim, Prençe kërkon një ndryshim të qasjes ndaj biznesit, duke nisur nga institucionet shtetërore. Ai thekson se përvoja dhe investimi në vend duhet të shoqërohen me politika që e bëjnë Shqipërinë më konkurruese dhe më të parashikueshme.

“Në vitin 2014 jam rikthyer për të kontribuar në vendin tim, por duhet të ndryshojë mendësia, duke filluar nga institucionet. Nuk duhet të presim që Europa të na e imponojë ndryshimin” përfundon ai.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts