Menu

Përplasja për paketën fiskale 2027, FMN kundër uljes së TVSH-së dhe heqjes së taksës së karburanteve

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kundërshton dy nga lehtësimet fiskale të parashikuara në paketën fiskale 2027: Uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqjen e taksës së qarkullimit mbi karburantet. Në deklaratën përmbyllëse të misionit për Shqipërinë, publikuar më 20 nëntor, Fondi argumenton se këto masa rëndojnë buxhetin e shtetit dhe nuk garantojnë mbështetje për kategoritë që kanë më shumë nevojë.

Sipas FMN-së, ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit përfitojnë edhe familjet me të ardhura të larta, ndërsa krijojnë shtrembërime në sinjalet e çmimeve. Në vend të lehtësimeve të përgjithshme, Fondi rekomandon që ndihma të orientohet drejtpërdrejt te familjet në nevojë përmes skemave të mbështetjes sociale.

Në të kundërt, FMN mbështet zgjerimin e bazës së tatueshme përmes uljes së pragut të regjistrimit në TVSH, rritjes së tatimit mbi dividendin dhe kufizimit të lehtësive fiskale për sektorin e akomodimit. Megjithatë, këto ndryshime duhet të shoqërohen me kontrolle më të forta për të luftuar informalitetin.

Fondi i kërkon gjithashtu qeverisë të ndjekë një politikë fiskale më pak ekspansioniste në vitin 2027, duke argumentuar se ekonomia shqiptare po operon mbi potencialin e saj, ndërsa inflacioni mbetet mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Rritja ekonomike ngadalësohet, rreziqet shtohen

FMN parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 3.5% në vitin 2026, kundrejt 3.7% një vit më parë, ndërsa nga viti 2027 ritmi i rritjes pritet të stabilizohet pranë 3.2%.

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë e ka çuar inflacionin në 3.4% në tetor. Fondi paralajmëron se tensionet gjeopolitike dhe shtrëngimi i kushteve financiare në tregjet ndërkombëtare mund të ndikojnë negativisht te turizmi dhe investimet. Ndërkohë, tensionet sociale në vend rrezikojnë të dobësojnë besimin dhe të ngadalësojnë zbatimin e reformave.

Një tjetër shqetësim afatgjatë mbetet tkurrja e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë, faktorë që kufizojnë potencialin e zhvillimit ekonomik.

FMN kërkon shtrëngim të politikës monetare

Në vlerësimin e saj, FMN rekomandon që Banka e Shqipërisë të nisë tërheqjen graduale të stimulit monetar përmes rritjes së normës bazë të interesit. Synimi është që inflacioni bazë të rikthehet në objektivin prej 3% deri në fund të vitit 2027.

Fondi kërkon gjithashtu që kursi i këmbimit të vijojë të luajë rolin e amortizuesit ndaj goditjeve të jashtme dhe ndërhyrjet në tregun valutor të kufizohen kryesisht në situata me likuiditet të ulët. Një tjetër rekomandim lidhet me ruajtjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë.

Sundimi i ligjit dhe reformat, kusht për integrimin europian

Në pjesën e reformave strukturore, FMN vë theksin te forcimi i institucioneve, mbrojtja e pavarësisë operacionale të SPAK-ut, reduktimi i dosjeve të prapambetura në gjykata dhe modernizimi i kadastrës.

Për projektligjin e investimeve, Fondi kërkon kritere transparente dhe objektive, në mënyrë që të shmanget favorizimi i investitorëve apo projekteve të përzgjedhura. Ndërkohë, për rritjen e produktivitetit rekomandohet përshtatja e arsimit profesional me kërkesat e tregut të punës, lufta ndaj informalitetit dhe përmirësimi i financimit për sipërmarrjet e reja dhe inovative.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts