Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Ervis Çota nga Levizja Rinore Egjiptiane Rome në Elbasan foli për angazhimin në forma të ndryshme të organizatave të Shoqërisë Civile për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe që janë diskriminuar. Çota tha se rastet i kanë adresuar në dyert e institucioneve të cilat deri tani nuk kanë reaguar, vetëm janë mjaftuar me ngritjen e grupeve institucionale.
“Kemi bashkëvepruar me organizata të ndryshme, në lidhje me problemet që hasim në terren ndaj grupeve në nevojë ekonomike. I adresuam institucioneve, të cilat nuk kanë bërë asnjë hap konkret për ndërmarrjen e një akti ligjor, por thjesht kanë ngritur një grup institucional. Kemi familje debitore dhe i është ndërprerë energjia elektrike, kemi disa familje që iu është nderprerë energjia pasi kanë lidhur një kontratë dhe të tjerë që nuk kanë patur asnjë sahat apo abonim në OSHEE. Kontaktuam OSHEE dhe patëm raste mirëkuptimi për disa familje ku i është lidhur energjia, por pjesës dërrmuese nuk i është zgjidhur problemi. Kemi bërë fushatë në disa familje, sidomos tek komuniteti rom e egjiptian, i dërguam shqetësimin institucioneve dhe nuk morëm asnjë përgjigje. Organizuam tubim para Kryeministrisë, patëm takim me zyrën e bashkëqeverisjes, ende s’ka përgjigje konkrete se ku ka arritur hartimi i aktit nënligjor. Në Elbasan janë rreth 6000 anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian që trajtohen me ndihmë ekonomike. Kemi 2500 familje rome në Elbasan, 90% e tyre trajtohet me ndihmë ekonomike dhe fëmijët e kanë të pamundur aksesin në mësimin online”-deklaroi Ervis Çota.
Qendra Alert/Alert.al


