Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Blloshmi, gazetar në Librazhd dhe një ndër fitueset për gazetarinë më të mirë mjedisore, me “Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanic në kthetrat e HEC-eve” ka folur për problemet e parikuperueshme që shkaktojnë në mjedis HEC-et dhe bombardimi i Librazhdit nga këto ndërtime.
“Prej 2013 kam ndjekur problemet e florës dhe faunës në Librazhd. Është një nga zonat më të rëndësishme. Parku kombëtar Shebenik-Jabllanic është një nga zonat më të bukura dhe parku i dytë më i madh kombëtar rreth 30 mijë hektarë. Në fokus kanë qenë edhe disa zona të mbrojtura të kategorisë së katërt. Problem shqetësues janë demtimet nga HEC-et. Kam ndjekur të gjithë problematikën, Librazhdi është një nga zonat më të bombarduara nga HEC-et, ku ndërtohet në çdo përrua, në çdo mal. Ku shikohet një lumë ndërtohet HEC-e. Në Librazhd deri në 2013 ka patur rreth 75 projekte për HEC-e. Pas 2013, projektet e planifikuara e kalojnë shifrën 100. Jam përqendruar kryesisht në Shebenik-Jabllanic, Sopot, Stravaj, Prrenjas, pasi janë zona ku janë ndërtuar HEC-e. Pas viteve 2017-2019 ka hapa gjigande për ndërtimin e HEC-eve. Projekti ynë u transmetua në disa kanale, media në të cilën punoj ka hapësirë për trajtimin e problemeve mjedisore. Kam që në 2013 që kam ndjekur protestat e banorëve, të cilët janë burgosur vetëm se kanë kërkuar ujin e pijshëm. Edhe në kohë pandemie ka filluar sërish ndërtimi i HEC-eve. Kemi disa Konventa të ratifikuara, por nuk zbatohen. Problem mbetet mosrespektimi i Konventave e mospjesëmarrja dhe mospyetja e publikut. Kyi fundit është ai që proteston, por në fund nuk fiton asgjë. Fituesit e projekteve të HEC-eve shumë herë ushtrojnë edhe presion mbi banorët që mbrojnë mjedisin. Biznesmenët kanë mbrojtjen dhe mbështetjen politike”-deklaroi Agim Blloshmi.
Qendra Alert/Alert.al

