Shqipëria po përballet me një paradoks në tregun e punës: Bizneset kanë vende vakante, por nuk gjejnë punonjës, ndërsa mijëra të punësuar largohen drejt emigrimit. Sipas Analizës Kombëtare të Aftësive për vitin 2025, të publikuar nga Kombet e Bashkuara, mungesa e fuqisë punëtore dhe kualifikimi i pamjaftueshëm po kthehen në pengesa serioze për sipërmarrjet në vend.
Studimi tregon se 94.9% e ndërmarrjeve që kanë tentuar të rekrutojnë punonjës gjatë vitit të fundit kanë hasur vështirësi në plotësimin e vendeve vakante. Ndërkohë, 31.7% e bizneseve raportojnë të paktën një vend të lirë pune.
Problemi nuk lidhet vetëm me numrin e punonjësve, por edhe me aftësitë që ata zotërojnë. Rreth 43.5% e ndërmarrjeve evidentojnë mangësi në aftësitë profesionale të stafit ekzistues, ndërsa 6 në 10 biznese shprehin shqetësime për kualifikimin e pamjaftueshëm të punonjësve.
Analiza është mbështetur në të dhënat e 2,185 ndërmarrjeve, që përfaqësojnë afro 54 mijë biznese aktive dhe më shumë se 500 mijë të punësuar në të gjithë vendin.
Emigrimi mbetet një nga faktorët kryesorë që rëndojnë tregun e punës. Sipas raportit, 50.5% e bizneseve raportojnë mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa 49.7% shqetësohen për largimin dhe lëvizjen e shpeshtë të stafit. Vetëm brenda një periudhe 12-mujore, 10,551 punonjës janë larguar nga vendet e tyre të punës për të emigruar jashtë Shqipërisë.
Mungesat në aftësi prekin rreth 10.4% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 52,366 punonjës. Problematika është më e theksuar te shitësit me pakicë, ku evidentohen 6,601 punonjës me mangësi në aftësi, të ndjekur nga ndërtimi dhe mirëmbajtja me 5,423 persona dhe industria përpunuese me 5,177 punonjës.
Vështirësi raportohen gjithashtu në profesione si teknikët, kamarierët, banakierët dhe punonjësit e kulinarisë.
Në kushtet kur tregu vendas nuk po arrin të plotësojë kërkesat e bizneseve, sipërmarrjet po orientohen gjithnjë e më shumë drejt fuqisë punëtore të huaj. Një tregues se emigrimi nuk po zbraz vetëm vendin nga punonjësit, por po krijon edhe një krizë të drejtpërdrejtë për funksionimin dhe zhvillimin e bizneseve.
Qendra Alert/Alert.al


