Mbi 12 tonë produkte ushqimore nga Maqedonia e Veriut janë ndaluar të hyjnë në tregun e Kosovës, pas problemeve të përsëritura me sigurinë ushqimore në fabrikën ku janë prodhuar.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar dy ngarkesa me një sasi totale prej 12 mijë e 268 kilogramësh, që përmbanin kremra ushqimorë me yndyrë bimore dhe produkte djathi. Ngarkesat ishin importuar nga kompania “VIZIONI M.Z.I.” në Graçanicë dhe prodhuar në fabrikën “AD MLEKARA TETOVO” në Maqedoninë e Veriut.
Sipas AUV-së, vendimi është marrë pas shkeljeve të përsëritura të kritereve të sigurisë ushqimore nga fabrika prodhuese. Në analizat laboratorike të ngarkesave të mëparshme ishte konstatuar prania e bakterit Escherichia coli mbi kufijtë e lejuar.
Për këtë arsye, autoritetet kosovare kishin ndaluar importin e produkteve nga kjo fabrikë dhe e kishin hequr atë nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport në Kosovë.
Dy ngarkesat janë ndaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, ndërsa është urdhëruar kthimi i tyre në vendin e origjinës.
Qendra Alert/Alert.al


