Shqipëria numëron mbi 300 startup-e aktive, ndërsa qeveria paralajmëron një instrument të ri financimi për sipërmarrjet inovative, që synohet të ngrihet gjatë vitit 2027. Premtimi u bë nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, gjatë çeljes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë.
Në konferencën rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”, e zhvilluar nën moton “Ndërto nga Shqipëria”, ministrja foli për zhvillimin e ekosistemit të startup-eve dhe mbështetjen financiare që u është dhënë sipërmarrjeve të reja.
Sipas Ibrahimajt, financimi për këtë sektor u dyfishua vitin e kaluar, duke arritur në 600 milionë lekë dhe duke përfshirë rreth 170 startup-e. Nga kjo skemë, 43 produkte kanë dalë tashmë në treg, ndërsa janë mbështetur edhe tetë struktura lehtësuese, që ofrojnë mentorim dhe asistencë për sipërmarrësit.
Një nga nismat kryesore të paralajmëruara për vitin 2027 është krijimi i Fondit Shqiptar të Inovacionit. Ky mekanizëm synon të ofrojë një tjetër mundësi financimi për bizneset inovative dhe do të zhvillohet në kuadër të reformave të lidhura me Instrumentin e Reformave dhe Rritjes.
“Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri” deklaroi Ibrahimaj, duke bërë të ditur se synimi është që fondi të jetë funksional gjatë vitit të ardhshëm.
Përveç financimit, qeveria parashikon edhe hapjen e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë trajnime dhe mundësi për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse në të gjithë vendin. Një tjetër objektiv është rritja e prezencës së startup-eve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, përmes panaireve, aktiviteteve dhe bashkëpunimeve me institucione të huaja.
Në fokus do të jetë edhe zhvillimi i GovTech, një model që synon të afrojë sipërmarrjet inovative me sektorin publik, duke u krijuar mundësi të ofrojnë zgjidhje teknologjike dhe shërbime të reja për institucionet.
Ministrja vuri gjithashtu theksin te bashkëpunimi rajonal, duke argumentuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkojnë kapacitetet dhe ekspertizën për të krijuar projekte të përbashkëta dhe për të konkurruar në tregjet më të mëdha.
Java Globale e Sipërmarrjes 2026 zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, me rreth 40 aktivitete në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë. Programi përfshin konferenca, trajnime, workshop-e dhe takime me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë, me synimin për të nxitur inovacionin dhe për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit për sipërmarrjet shqiptare.
Qendra Alert/Alert.al

