Menu

AKU ka reaguar zyrtarisht për vezët e kontaminuara me Salmonelë që shkaktuan helmimin e fëmijëve në një kopsht në Gramsh.

Pas shqetësimit të ngritur publikisht lidhur me një rast kontaminimi me Salmonelë spp në Kopshtin Nr. 1 të qytetit të Gramshit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar zyrtarisht, duke dhënë sqarimet për ecurinë e procesit të gjurmueshmërisë dhe rezultatet e analizave laboratorike të kryera në hallkat e zinxhirit ushqimor.

Në njoftimin e saj, AKU bën të ditur se:

  • Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për prani të Salmonelës spp.

  • Ferma e shpendëve, e testuar nga Shërbimi Veterinar Rajonal në maj 2025, ka rezultuar me shpendë të shëndetshëm, pa prani të bakterit.

  • Po ashtu, subjekti furnizues i vezëve për Kopshtin Nr. 1 Gramsh, i ndarë nga prodhuesi, ka rezultuar negativ për Salmonelë.

Në kontrast, mostrat e marra në ambientet e vetë Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar pozitive për Salmonelë spp., duke sugjeruar se kontaminimi ka ndodhur brenda institucionit dhe nuk ka lidhje me zinxhirin e prodhimit apo furnizimit të produktit vezë.

AKU thekson se nuk janë konstatuar raste të tjera problematike me Salmonelë në subjekte të tjera, dhe se po vijon komunikimi i vazhdueshëm ndërinstitucional me njësitë e NjKVSh për monitorimin e situatës.

Në njoftim, Autoriteti reagon ndaj informacioneve të përhapura në disa rrjete sociale, duke i konsideruar të pasakta dhe të pabazuara në të dhëna zyrtare. AKU nënvizon se komentet dhe analizat nuk duhet të ndalen vetëm në mostrat e marra në subjektin e ngjarjes, por duhet pritur përfundimi i procesit të gjurmueshmërisë që përfshin të gjitha hallkat: subjektin, furnizuesin dhe prodhuesin.

Në përputhje me Ligjin Nr. 9863 “Për Ushqimin” (i ndryshuar) dhe VKM Nr. 760, datë 16.09.2015 “Për kërkesat për gjurmimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë përgjatë zinxhirit ushqimor”, AKU paralajmëron se çdo deklaratë e pabazuar ose dezinformuese mund të përbëjë shkelje ligjore dhe të çojë në përgjegjësi penale.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit garanton se do të vazhdojë me transparencë të plotë, duke ndjekur procedurat dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Related Posts