Menu

AKU

Masat pas mbylljes së mensës së studentëve të Policisë, reagon SORI-AL: Konflikt apo siguri ushqimore?

Në vijim të deklaratës publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe përballë interesit të lartë publik dhe perceptimit të krijuar gjatë këtyre ditëve, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ndjen detyrimin moral të vijojë të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat reale faktike dhe dokumentacionin zyrtar të administruar deri më tani lidhur me ngjarjen e datës 06.05.2026 pranë Akademisë së Sigurisë.
Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur një tablo klinike të lehtë deri të mesme, ndërsa diagnoza është referuar vetëm si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim ushqimor i konfirmuar laboratorikisht. Po ashtu, sipas të njëjtit dokumentacion mjekësor, pacientët kanë marrë trajtim simptomatik dhe janë larguar nga spitali brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, nga 1 deri në 3-4 orë, në gjendje të stabilizuar dhe pa pasoja serioze për shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, raportet laboratorike dhe epidemiologjike të administruara deri më tani nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar. Po ashtu, tamponët rektalë të personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar sipas standardeve në fuqi.
Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publik faktin se nga 9 mostra të kampionuara, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave ligjore dhe mikrobiologjike të lejuara, ndërsa pretendimi për jokonformitet lidhet vetëm me një kampion të vetëm ushqimor. Ky kampion i përket vaktit të darkës, produkt i pakonsumuar, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e dyshuar për helmim të raportuar në datën 06.05.2026, pasi vetë episodi i raportuar lidhet me vaktin e drekës dhe jo me vaktin e darkës.
Megjithatë, ajo që nuk sqarohet në deklaratën publike të AKU-së është fakti se masa ekstreme e bllokimit total të aktivitetit nuk është mbështetur mbi ndonjë konkluzion përfundimtar laboratorik që provon ekzistencën e një episodi helmimi ushqimor të konfirmuar, por mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, vetë ky raport epidemiologjik nuk rekomandon mbylljen e aktivitetit, por rekomandon monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme të situatës.
Pavarësisht kësaj, ndaj subjektit janë marrë masa ekstreme administrative, përfshirë bllokimin total të aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumëfishta, masa të cilat janë në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga Neni 46, pika 2 e Ligjit për Inspektimin dhe Neni 47 i Ligjit “Për Ushqimin”.
Shoqëria “SORI-AL” konsideron se çdo masë administrative duhet të mbështetet mbi prova të plota, standarde ligjore dhe respektim rigoroz të procedurave administrative, dhe jo mbi interpretime paraprake apo trajtime që krijojnë impakt publik disproporcional përpara përfundimit të hetimeve.
Pavarësisht situatës së krijuar, shoqëria jonë ka marrë menjëherë masa të shtuara higjieno-sanitare, duke realizuar pastrim të thelluar, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D.
Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet kompetente, duke ndjekur njëkohësisht të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj të ligjshme.
Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k.

– – – – – – — – –
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.

AKU godet subjektin e Ylli Merjës, bllokohen 4 ton produkte bimore jashtë standardeve, masa administrative për “doktorin popullor”

Një sasi e konsiderueshme prej gati 4 tonësh produkte bimore të paetiketuara dhe pa asnjë informacion mbi origjinën apo afatin e përdorimit është bllokuar në Tiranë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas një denoncimi të mbërritur pranë institucionit.

Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, kontrolli është ushtruar në subjektin “Merja”, në lagjen Shkozë, subjekt që lidhet me Ylli Merjën, farmacist dhe specialist i njohur i mjekësisë bimore (fitoterapisë) në Shqipëri, i cili ndryshe njihet si “mjek popullor”, ku gjatë inspektimit në ambientet e magazinës janë konstatuar 3984 kg produkte të miksuara, konkretisht bimë të thata të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa dhe pa të dhëna mbi përbërjen, origjinën apo afatin e përdorimit.

Përballë këtyre shkeljeve, trupa inspektuese ka ndërhyrë duke bllokuar menjëherë të gjithë sasinë e konstatuar në ambientet e magazinës. Ndaj subjektit është marrë masë administrative me gjobë në vlerën 200 mijë lekë për mosrespektim të kërkesave të gjurmueshmërisë.

Kontrollet kanë zbuluar gjithashtu mungesë të sistemit të vetëkontrollit, konkretisht mungesën e skedave të monitorimit gjatë procesit të miksimit, një tjetër shkelje e parashikimeve ligjore. Për këtë mangësi, është vendosur një gjobë shtesë në vlerën 100 mijë lekë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se vijon kontrollet në terren për të garantuar sigurinë ushqimore dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo parregullsi përmes adresës [email protected] ose në numrin e gjelbër 08007575.

Bllokohet në Kapshticë 6.4 ton “Red Bull”, AKU vendos kthimin në origjinë për shkelje të kërkesave ligjore

Një ngarkesë me pije energjike “Red Bull” është bllokuar në Pikën e Inspektimit Kufitar në Kapshticë dhe është kthyer në vendin e origjinës, pasi nuk përmbushte kërkesat ligjore për import në Shqipëri.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë kontrolleve rutinë në kufi, trupa inspektuese konstatoi se ngarkesa me peshë totale 6,480 kilogramë kishte mangësi të theksuara në dokumentacion.

Nga verifikimet rezultoi se subjekti importues dispononte vetëm faturën e blerjes së produktit, ndërsa mungonin dokumente thelbësore që garantojnë sigurinë dhe gjurmueshmërinë e tij, si certifikata e origjinës (EUR.1), certifikata e cilësisë, certifikata e konformitetit dhe certifikata e analizës së produktit.

Për këtë arsye, në zbatim të ligjit “Për ushqimin”, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të ngarkesës dhe kthimin e saj në origjinë, duke ndaluar hyrjen në tregun vendas.

Sipas institucionit, kontrollet në pikat kufitare do të vijojnë me të njëjtin intensitet, me qëllim parandalimin e futjes në vend të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se mbetet i angazhuar në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit tregtar.

Skandali me turshitë e kontaminuara, Sula: Shumica e inspektorëve gjenden nëpër zyra dhe nuk dalin në terren

Një investigim i Qendrës Alert ka zbuluar një skandal të përmasave të mëdha në lidhje me sigurinë ushqimore në vend. Bëhet fjalë për turshitë e importit, një produkt i konsumuar gjerësisht nga shqiptarët, të cilat në një pjesë të madhe rezultojnë se përmbajnë pesticide të ndaluara ose në nivele mbi normat e lejuara nga legjislacioni shqiptar dhe ai i Bashkimit Evropian.

Për të kuptuar më shumë mbi pasojat e e këtij skandali i ftuar në studion e emisionit “Alert” në “Ora News” ishte Profesori  Kaplan Sula, është dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

 

 

“Në fakt kur ka një, një njoftim, kur ka disa analiza të kryera, menjëherë AKU-ja duhet të veprojë. Duhet që t’i referohet testeve të kryera, analizave, pavarësisht rezervave që mund të kenë, mund të marrë mostra të tjera të produkteve, të këtyre produkteve që janë analizuar por edhe produkteve të tjera, për të vlerësuar më tej situatën, duke i çuar ato në, pikërisht në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ose në laboratorë të tjerë të akredituar, të cilët AKU-ja i zgjedh sipas përcaktimeve që ka bërë dhe ligji.

Dhe mandej duhet të, natyrisht, nëse analizat e kryera, ë, do të nxjerrin përsëri probleme, në qoftë se nuk u beson këtyre analizave, menjëherë duhet të vepronte dhe duhet që të tërhiqte, të ishte me urdhër, me urdhëresa dhe me masa të merret, të tërhiqte produktet nga tregu për mos lejuar që popullata të ekspozohej me mbetje të tilla të pesticideve të cilat janë identifikuar sipas këtyre, analizave që kemi këtu mbi tavolinë.

 

Në një fazë ku AKU-ja nuk po kryen inspektime. Shumica e inspektorëve gjenden nëpër zyra, sipas informacionit që kam dhe nuk dalin në terren që të kryejnë minimumin inspektimet.

Dhe mandej pas inspektimeve që të marrin mostra dhe të kryejnë analizat për jo vetëm për produktet që flasim, por për të gjitha produktet ushqimore.

Kështu që unë nuk e di çfarë ndodh në AKU për momentin, është në një fazë riorganizimi siç flitet, as nuk kemi as, nuk kemi as riorganizim, nuk kemi asnjë strukturë të qartë të miratuar.

Janë kryer disa testime, asgjë nuk është raportuar. Kështu që një situatë e cila është konfuze.

 

Kështu që kjo situatë, për atë institucion, për autoritetin kompetent të sigurisë ushqimore të vendit tonë, nuk i jep as, nuk i jep vlerë këtij institucioni.

Kështu që menjëherë duhet, unë them që ata duhet të ndërmarrin veprime, duhet pavarësisht këtij rasti, por për të gjitha rastet, ashtu siç kanë filluar kohët e fundit të bllokojnë siç ishte sasia e miellit kishin bllokuar…”, tha Profesori  Kaplan Sula.

Operacioni “Audienca” në Tiranë, sekuestrohen mbi 10 mijë suplemente të skaduara dhe kontrabandë

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin e koduar “Audienca”, pas një hetimi të zhvilluar me metoda proaktive për dokumentimin e paligjshmërive në një subjekt me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë në Tiranë, u zbulua se për llogari të këtij subjekti mbaheshin suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara dhe të kontrabanduara. Si rezultat, autoritetet sekuestruan mbi 10 mijë produkte, të cilat rezultuan pa pullën e Agjencisë së Barnave, pa pullën e Ministrisë së Financave dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, ndërsa u proceduan penalisht dy punonjës të subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç, të cilët ndodheshin në ambientet e magazinës gjatë kontrollit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale që lidhen me kontrabandën, depozitimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë, fshehjen e të ardhurave, si dhe importimin dhe ruajtjen e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e administratorit të shpallur në kërkim

AKU verifikon dhe bllokon në Durrës mbi 7.6 ton miell të skaduar pas ndalimit nga Dogana

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), përmes Sektorit të Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor, ka kryer kontroll zyrtar në një subjekt tregtar në Durrës, pas sinjalizimit të ardhur nga Dega e Doganës Durrës, ku një ditë më parë ishte ndaluar një sasi produktesh ushqimore të dyshuara si jashtë afatit të përdorimit.

Kontrolli i AKU-së u zhvillua pas ndalimit paraprak të mallrave nga dogana, e cila gjatë një verifikimi fizik kishte konstatuar produkte ushqimore me datë skadence të kaluar dhe kishte bllokuar ngarkesën. Pas këtij konstatimi, inspektorët e AKU-së ndërhynë në terren për të verifikuar situatën, për të formalizuar masat ligjore dhe për të garantuar që produktet të mos hidhen në treg për konsum.

Gjatë inspektimit u evidentua se bëhej fjalë për 2.500 kilogramë miell orizi me datë skadence 1 prill 2025 dhe 5.150 kilogramë miell për pica me datë skadence 7 prill 2025. Në total, sasia e bllokuar arrin në rreth 7.650 kilogramë miell, produkte që rezultuan jashtë afatit të përdorimit dhe të papërshtatshme për tregtim.

Në zbatim të Ligjit nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, AKU vendosi bllokimin e mallrave, të cilat do të qëndrojnë në magazinën e subjektit deri në përfundimin e procedurave për asgjësimin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se kontrollet në bashkëpunim me strukturat doganore synojnë rritjen e sigurisë ushqimore dhe parandalimin e qarkullimit të produkteve të pasigurta në treg. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë detyrimet ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet ushqimore.

Luleshtrydhet pa pesticide/ Troka: Mbrojtja biologjike garanton siguri, jo rritje artificiale të prodhimit

Në një kohë kur konsumatorët janë gjithnjë e më të vëmendshëm ndaj sigurisë ushqimore, një fermer, prodhues dhe eksportues nga zona e Fierit, i quajtur Albano Troka po aplikon një metodë inovative në kultivimin e luleshtrydheve.

I ftuar në emisionin “Alert” në “Ora News” ai u shpreh se prej tre vitesh ka adoptuar mbrojtjen biologjike, duke e kthyer biznesin e tij në një shembull suksesi dhe sigurie.

Troka, i cili operon në njësinë administrative Frakull, në zonën e Kafarejt, një nga prodhueset më të mëdha të luleshtrydhes në Shqipëri, shprehet se vendimi për të përdorur këtë teknologji ka qenë i qëllimshëm që në fillimet e biznesit. Ideja ishte të sillnin një inovacion në mbrojtjen e bimëve, duke lënë mënjanë metodat konvencionale.

“Ne kemi tre vjet që merremi me prodhimin e luleshtrydheve dhe tre vjet kemi që kemi implementuar mbrojtjen biologjike. 

Që nga momenti i parë që ne kemi ideuar për të krijuar një biznes të tillë, ne kemi qenë me ide të qarta për të pasur ë një inovacion për pjesën e mbrojtjes së bimës, që është mbrojtja biologjike. 

Ne jemi në njësinë administrative Frakull, zona Kafarej.

 Po, është zona që ka pothuajse të gjithë sipërfaqen e luleshtrydhës që është e mbjellë në Shqipëri.

Pjesa e mbrojtjes së insekteve nuk ka aspak ndikim në sasinë e prodhimit të bimës, përveç faktit sepse fruti është më i sigurt për t’u për t’u konsumuar.

Të hedhësh pesticide thjesht ti duhet ta mbrosh nga parazitët, nga insektet e këqija, por nuk është se do të shtosh prodhimin”, u shpreh Troka.

Drazho (AKU): Krahas kontrolleve, po këshillojmë edhe bizneset ushqimore

Granit Sokolaj, moderator i emisionit “Alert”, deklaroi se një fenomen shqetësues po kërcënon sigurinë ushqimore të qytetarëve shqiptarë, pasi dështimi i kontrolleve në hallkat e ndërmjetme të përpunimit të qumështit po lejon futjen e produkteve të kontaminuara në treg.

Sipas raportimeve nga terreni dhe analizave të diskutuara në studion e “Alert”, është zbuluar një skemë alarmante: qumështi që refuzohet nga industria e madhe e përpunimit për shkak të niveleve të larta të aflatoksinës nuk asgjësohet, por rishitet te baxhot, pra te punishte të vogla përpunimi.

Fermerët, të përballur me refuzimin nga fabrikat që konstatojnë praninë e toksinës kancerogjene, zgjedhin rrugën më të shkurtër për të shmangur humbjet financiare. Ata e shesin këtë qumësht me çmime më të ulëta, rreth 48 lekë për litër, krahasuar me 52 lekë që paguhet qumështi i pranuar nga fabrikat e mëdha. Ky produkt përfundon te baxhot, të cilat shpesh kanë kapacitete të kufizuara laboratorike ose, në raste më problematike, tolerojnë shkeljen e standardeve të sigurisë.

Pas përpunimit në këto punishte, produktet – djathë apo nënprodukte të tjera – shpërndahen në rrjetin e marketeve dhe supermarketeve, duke mbërritur te konsumatori final, i cili nuk ka asnjë mundësi për të dalluar rrezikun.

Nga ana e saj, Polikseni Drazho, përfaqësuese e Sektorit të Aktivitetit Shkencor dhe Komunikimit me RASFF pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), konfirmoi se periudha e dimrit dhe niveli i lartë i lagështisë rrisin ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të mykut në ushqimin e kafshëve, që është burimi kryesor i aflatoksinës.

Megjithatë, ajo theksoi se problemi strukturor mbetet mungesa e gjurmueshmërisë së plotë për qumështin e refuzuar. Në vend që ky qumësht të trajtohet si mbetje e rrezikshme dhe të asgjësohet nën mbikëqyrje, ai thjesht ndryshon destinacion.

Ekspertët paralajmërojnë se aflatoksina është një substancë e qëndrueshme dhe nuk eliminohet plotësisht gjatë proceseve termike standarde, si pasterizimi apo përpunimi në djathë. Për këtë arsye, ky “riciklim” i qumështit të kontaminuar përbën një rrezik të heshtur për shëndetin publik.

Sipas specialistëve, situata kërkon një ndërhyrje urgjente rregullatore. Nuk mjafton që fabrikat e mëdha të mbrojnë vetëm markën e tyre duke refuzuar lëndën e parë; nevojitet një protokoll i detyrueshëm shtetëror që të monitorojë dhe gjurmojë se ku përfundon çdo litër qumësht i refuzuar.

Derisa të mbyllet ky shteg i ashtuquajtur “treg i zi” i qumështit, konsumatori shqiptar mbetet i ekspozuar ndaj një rreziku serioz, i cili vjen pikërisht nga produktet bazë të shportës ushqimore.

Polikseni Drazho shtoi gjithashtu se AKU ka zhvilluar fushata sensibilizuese për këtë problematikë dhe se ato kanë dhënë rezultate pozitive, duke rritur ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin edhe nga vetë bizneset ushqimore.

Drazhi: Nga ferma te tavolina juaj, a është i sigurt qumështi që konsumoni?

Polikseni Drazho, në Sektori i Aktivitetit Shkencor dhe Komunikimit me RASFF, AKU, e ftuar në emisionin “Alert”, në “Ora News”, u shpreh se siguria ushqimore fillon që te lënda e parë.

Një produkt, siç është qumështi, nuk duhet të pranohet kurrë nga një operator biznesi ushqimor nëse nuk përmbush kërkesat themelore të sigurisë.

Ky është parimi bazë mbi të cilin funksionon i gjithë zinxhiri i prodhimit, duke vendosur përgjegjësi të qarta për çdo hallkë të tij.

“Mund të jetë një nga elementët kyç ose tregues kyç i sigurisë ushqimore, siç ka dhe shumë të tjerë.

Mund të jetë ngarkesa mikrobiologjike, kushtet e ruajtjes. Ka shumë faktorë, por në mënyrë absolute një produkt, lëndë e parë në këtë rast, nuk duhet të pranohet nga operatori i biznesit ushqimor nëse nuk përmbush kërkesat e sigurisë ushqimore.

Madje, madje, për më tepër, bizneset në shumë raste bëjnë edhe selektim kur lidhet me parametrat e cilësisë, që mund të jetë përmbajtja proteinike, përmbajtja e karbohidrateve, në varësi gjithmonë të produktit.

Kështu që, ky është hapi i parë që ne mund ta quajmë një lloj vetëkontrolli i brendshëm i biznesit pa u futur autoritetet. Sepse pjesa e qumështit ka dhe një lloj debati sepse janë dhe institucione të tjera të përfshira.

Nëse flasim në ferma, nëse flasim qumështi i prodhuar, kështu që ne mund të diskutojmë edhe më gjatë, po.

Edhe ushqimin për kafshë. Kështu që, patjetër këto janë disa elementë që duhen kontrolluar.

Një operator i biznesit ushqimor ka detyrimin dhe të drejtën e tij absolute të pranojë një lëndë të parë që përmbush të gjithë kërkesat dhe të gjithë parametrat.

Ai mund të bëjë dhe një analizë, sepse nuk është e thënë.

E merr vërtet lëndën e parë me faturë, e merr dhe ndoshta me një raport analize nga një laborator i palës së tretë, sikundër kemi thënë dhe herë të tjera, por ka të drejtën e tij të dyshojë të gjithë këtë proces dhe të bëjë një analizë vetëkontrolli”, u shpreh Drazho.

Abuzim me çmimet në tregun e fruta-perimeve, gjobiten 6 kompani në mbrojtje të fermerëve dhe konkurrencës së ndershme

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Në mbledhjen e datës 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.

Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët në gjithë Shqipërinë

Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:

çmime të diktuara e të koordinuara,

dyer të mbyllura për negocim,

varësi të tepruar nga pak blerës,

presione për uljen e çmimeve,

dhe shlyerje të vonuara të pagesave.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dheforcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për:

çmime më të drejta e më transparente,

konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve,

mundësi reale zgjedhjeje për fermerët,

pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale,

frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.

Për më tepër, megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje,efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse:

sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara,

vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve,

synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve,

dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët.

Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.

Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit

Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:

të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë,

të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar institucionet përgjegjëse me rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:

minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit,

hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE,

krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore),

vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara,

dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP).

Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri