Në fillim të gushtit, në Bullgari janë raportuar raste të ndalimit të portokalleve të kontaminuara nga Turqia me pesticidin prokloraz.
Proklorazi është një fungicid që i përket familjes së eterit të fenolit. Kimikati është prezantuar për herë të parë në vitin 1977 dhe përdoret kudo, në të gjithë botën, duke përfshirë Europën, Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Përdoret vecanërisht në kopshtari si dhe në sektorët bujqësorë. Ai mund të përdoret vetëm ose i kombinuar me kimikate të tjera për të eleminuar infektimin me kërpudha të drithërave. Por është i përdorur gjithashtu edhe për oriz, kafe si dhe për fruta të tilla si agrumet.
Efektet anësore të tij janë të ndryshme në bazë edhe të mënyrës së përdorimit, qoftë me anë të gëlltitjes, prekjes së drejtpërdrejtë në lëkurë, rënies në kontakt me sytë dhe si pasojë mund të shkaktojë emergjenca të ndryshme mjekësore.
Si një lëndë kimike e fuqishme, proklorazi mund të shkaktojë irritimin e rrugëve të frymëmarrjes, dhe inflamacionin e hundës. Përkeqëson gjendjen respiratore të njerëzve që vuajnë edhe me parë nga sëmundje të frymëmarrjes të tilla si bronshiti kronik.
Gjithashtu, kjo lëndë kimike ndikon negativisht sistemin riprodhues të femrave. Ekspozimi ndaj këtij kimikati mund të sjellë ndryshimin e gjendjes së humorit, depresion, shtimin në peshë, afshet, gjakderdhje si dhe një menopauzë të hershme. Ekspozimi afatgjatë ndaj këtij pesticide mund të shkaktojë rritjen e mpiksjeve të gjakut, tension të ulët të gjakut si dhe vdekjen e qelizave të bardha të gjakut.

Qendra Alert
alert.al

