Çlirimi i Kosovës u përkujtua më 12 qershor edhe në Gjermani. Diplomatë të Kosovës, përfaqësues të institucioneve publike, por edhe përfaqësues të diasporës u mblodhën në Dyseldorf, për të kujtuar sakrificën e popullit shqiptar dhe martirëve të luftës. Po në Dyseldorf u mbajtën dhe punimet e Forumit Ekonomik Kosovë – Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
Në këto aktivitete ishte i pranishëm dhe i ftuar nderi dhe filantropi e biznesmeni Lazim Destani, si përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Diasporës, ku gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës sonë historike dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve tona me atdheun.
Në rrjetet e tij sociale, Kryetari i Bordit Menaxhues të kompanisë Ecolog-International, njoftoi për pjesëmarrjen në këto aktivitete.
Më poshte mund të gjeni dhe postimin e plotë të Z.Destani:
“Dje pata nderin e kënaqësinë që si përfaqësues i Këshillit Koordinues të Diasporës të marr pjesë në ceremoninë festive për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës. Për shënimin e kësaj feste kombëtare, 26-vjetorin e çlirimit të vendit, aktiviteti u mbajt në Dyseldorf të Gjermanisë nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në po këtë qytet.
Në këtë ngjarje të bukur e të denjë, së bashku me përfaqësues të institucioneve, intelektualëve dhe figurave publike nga Kosova e Gjermania, miq të Kosovës e bashkatdhetarë nga Gjermania, u mblodhëm për të reflektuar e nderuar vlerat e larta që përfaqëson kjo ditë: përpjekjet e sakrificat shekullore për liri e pavarësi, dëshmorët e lirisë, si dhe dinjitetin e unitetin tonë kombëtar.
Në emër të Këshillit Koordinues të Diasporës, pata nderin t’i përshëndes të pranishmit me një fjalë rasti, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës sonë historike dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve tona me atdheun. Lavdi të rënëve për lirinë e atdheut!
Me mbarimin e kësaj ceremonie, në po këtë ambient, vazhduam me punimet e Forumit Ekonomik Kosovë – Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane. Këtu ishin të pranishëm afaristë të shumtë nga Kosova e nga diaspora shqiptare në Gjermani. Forumet e këtilla nuk janë vetëm platforma bashkëpunimi ekonomik – ato janë dëshmi e gjallë se diaspora është një faktor kyç, me ide dhe kapacitete investuese, për zhvillimin ekonomik dhe përparimin e Kosovës.
U diskutua për mundësi konkrete bashkëpunimi, sfida të përbashkëta dhe hapat e mëtejshëm për krijimin e një rrjeti funksional ekonomik, të fuqishëm e të qëndrueshëm, që lidh Kosovën me diasporën. Me vizion e bashkëpunim, arrijmë çdo synim!
Me këtë rast falënderoj Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf për organizimin dhe mikpritjen. Po ashtu, falënderoj Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, që me përkushtim të madh po punon për forcimin e këtij partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe komunitetit të bizneseve tona në mërgatë”.







