Që prej 4 qershorit të këtij viti, fermat shqiptare janë goditur rëndë nga murtaja e ruminantëve të vegjël, një infeksion i rrezikshëm që ka shkaktuar humbjen e 1082 deleve dhe dhive. Megjithëse Ministria e Bujqësisë ka marrë një sërë masash parandaluese, sëmundja vazhdon të jetë aktive në 8 vatra të shpërndara në 6 bashki. Shkodër, Dibër, Bulqizë, Skrapar, Devoll dhe Lezhë.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, Ministria e Bujqësisë reagoi duke bërë thirrje për bashkëpunim të plotë nga blegtorët, duke theksuar ndalimin e shtegtimit dhe tregtimit të kafshëve. Sipas përfaqësuesve të ministrisë, çdo kafshë e shitur në mënyrë ilegale duhet të konsiderohet e infektuar.
“Mos u joshni nga çmimet e ulëta, sepse ato janë kafshë të sëmura,” u shpreh një përfaqësues i ministrisë në një reagim për mediat.
Sipas analistëve, murtaja u përhap nga delet e importuara nga Rumania, të cilat hynë në vend me certifikata shëndetësore të falsifikuara.
Veterineri Xhelil Koleci shpjegon gjithashtu se :
“Shanset më të mëdha janë që sëmundja të vijë nga kafshë të infektuara që nuk shfaqin simptoma klinike, por që përhapin infeksionin pa u vënë re.”
Ekspertët theksojnë se beteja kundër murtajës mund të fitohet vetëm nëse fermerët respektojnë masat e izolimit, pasi shtegtimi i tufave rrezikon jetën e gjësë së gjallë.
Vaksinimi, megjithatë, shihet si një alternativë e mundshme, por e vështirë për t’u zbatuar. Sipas Kolecit, përdorimi i vaksinës e vështirëson verifikimin nëse një zonë është e pastër nga sëmundja, pasi nuk mund të dallosh nëse kafsha është e shëruar apo e vaksinuar.
“Vendimi për përdorimin e vaksinës nuk është në dorën e mjekëve veterinerë apo të Ministrisë së Bujqësisë, por i takon Bashkimit Evropian,” sqaroi ai.
Ndërkohë që sëmundja po përhapet më tej, qeveria nuk ka marrë ende një vendim për ndihmën ndaj fermerëve të dëmtuar.
Në luftën kundër murtajës janë angazhuar jo vetëm veterinerët, por edhe grupet e task-forcës nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave. Inspektimet janë shtuar në dogana dhe rrugët nacionale, me patrullim 24 orësh.
Ndërkohë që pjesë të ndryshme të vendit përballen me përhapjen e murtajës së ruminantëve të vegjël, Qarku i Elbasanit mbetet i pastër. Deri tani, të gjitha tamponet kanë rezultuar negative.
Drejtoria Rajonale e Bujqësisë ka identifikuar aktualisht tre vatra të sëmundjes: dy në Skrapar dhe një në Devoll. Shërbimi veterinar po intensifikon fushatat e sensibilizimit, duke kërkuar nga blegtorët respektimin e rreptë të ndalimit të lëvizjes së kafshëve.
Në rast se shfaqen simptoma, blegtorët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimin veterinar. Autoritetet paralajmërojnë ndjekje penale për çdo shkelje të rregullave, si therja e kafshëve jashtë thertoreve pa certifikata përkatëse apo lëvizja e paligjshme e tufave.


