I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i sigurisë Fatjon Softa foli për aksionin e ndërmarrë nga policia për çmontimin e kamerave të vendosura në mënyrë të paautorizuar në të gjitha qarqet e vendit.
“Policia duhet përgëzuar për këtë aksion, por edhe për shumë aksione të tjera që ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, ku ka treguar përformancë dhe obligim për të realizuar detyrat e saj kushtetuese. Problem i kamerave të vendosura në mënyrë të paligjshme nuk ka qenë brenda ditës, por ka qenë problem që është ngritur herë pas here nga ekspertë, për prezencën e kamerave të grupeve të ndryshme, që ruajnë edhe banesat, pra i kanë vendosur në afërsi të tyre, por dhe kontrollojnë territore të gjera, siç pamë në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe në të gjithë territorin. Në plan të parë, thuhet se ata janë grupe kriminale që kontrollojnë grupet kundërshtare, por kjo i lihet hetimit dhe policia duhet të shprehet se kush ishin personat, autorët. Unë analizoj 3 pista për të cilat këto kamera janë vendosur nga persona të paautorizuar. Së pari, nëse janë vendosur nga persona që janë të grupeve kriminale, kanë qenë të interesuar për të parë lëvizjet e kundërshtarëve. Së dyti, që të shikosh kundërshtarët duhet të kesh një sallë operative, monitorim 24 orë. Së treti, mbetet mundësia për të kontrolluar trafikun. Bëjnë përllogaritje se kur është ora më e lirë, për të bërë një aksion, vjedhje, vrasje etj. Për të bërë një analizë, sa herë ka ngjarje kriminale si ajo e Fushë-Krujës s’ka patur trafik dhe autorët kanë patur mundësi që të largohen, për të djegur më pas mjetet e tyre siç ka ndodhur pas çdo ngjarje kriminale”-deklaroi eksperti i sigurisë Fatjon Softa.
Emisioni Alert/Alert.al


