Në Aarburg të Zvicrës, Rrjeti i Miqësisë organizoi një tryezë të mbyllur debati me temën: “Si ta motivojmë brezin e ri shqiptar në diasporë për ruajtjen e shëndetit, gjuhës dhe besimit: rol dhe bashkëpunim institucional.” Aktiviteti u zhvillua në Xhaminë e Bardhë dhe mblodhi përfaqësues të diplomacisë, akademisë, komunitetit fetar, mjekë, përfaqësues të biznesit dhe figura të njohura të diasporës shqiptare.
Takimi synoi të nxisë një bashkëpunim më të strukturuar mes institucioneve dhe profesionistëve shqiptarë në Zvicër, për të mbështetur brezin e ri në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe vlerave kulturore.
Një nga momentet më të spikatura të aktivitetit ishte prania e filantropit të njohur shqiptar Lazim Destani, i cili udhëtoi posaçërisht nga Gjermania për të marrë pjesë në këtë tryezë. Angazhimi dhe prezenca e tij u konsideruan si një mesazh i fortë mbështetjeje për komunitetin shqiptar në diasporë dhe për përpjekjet për të forcuar lidhjen e brezit të ri me gjuhën dhe traditën.
Tryeza u moderua nga Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, i cili theksoi se brezi i ri shqiptar në diasporë ka nevojë për më shumë koordinim dhe bashkëpunim mes institucioneve, profesionistëve dhe komuniteteve që punojnë çdo ditë me familjet shqiptare.
Diskutimet u përqendruan në tri fusha kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt te fëmijët shqiptarë në diasporë: arsimi, shëndeti dhe jeta fetare. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e edukimit shëndetësor, ruajtjes së gjuhës shqipe dhe rolit të vlerave kulturore e fetare në formimin e identitetit të brezave të rinj.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të tri ambasadave shqiptare në Zvicër, drejtues të shkollave shqipe, akademikë, mjekë, përfaqësues të biznesit dhe mediave shqiptare. Ngjarjen e nderoi me praninë e tij edhe futbollisti i Kombëtares së Zvicrës Ardian Bajrami, lojtar i klubit Benfica.
Pjesëmarrësit ranë dakord se për të motivuar brezin e ri shqiptar në diasporë nevojiten mesazhe të qarta dhe të unifikuara, si dhe një bashkëpunim më i fortë institucional mes shkollave shqipe, profesionistëve të shëndetësisë dhe komuniteteve fetare.
Aktiviteti u përmbyll me një iftar të përbashkët, ku pjesëmarrësit vijuan diskutimet në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese. Tryeza u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së brezit të ri shqiptar në Zvicër.



