Menu

Dita e Diasporës, nis zyrtarisht punën KKD e re. Anëtarët Destani dhe Lekaj: Duhet bërë më shumë. Analiza për punën e bërë, gabimet dhe arritjet

Me 9 anëtarë të zgjedhur rishtazh dhe 6 të rizgjedhur në një garë të fortë, u mbaj në Tiranë mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare. Ky organizam i cili përfaqëson dhe diasporën shqiptare u mblodh më 18 dhjetor 2023 në Tiranë, një mbledhje e përvitshme tashmë e kthyer në traditë. Mes sfidash, si tërmeti i 26 nëntorit 2019 e më pas pandemia, anëtarët e KKD-së së parë mbaruan mandatin, për të rinisur më pas një gare të fortë, me propozime e miratime sipas procedurës ligjore. Kësisoj, 6 nga anëtarët e KKD-së u rikonfirmuan ndërsa 9 të tjerë u zgjodhën të rinj nga mërgata shqiptare në botë.
Në mbledhjen e KKD-së, kryetari i saj Mark Gjonaj, duke çelur dhe punimet e 18-dhjetorit, falenderoi anëtarët e KKD-së për punën e bërë gjatë mandatit të parë, si dhe iu uroi suksese të zgjedhurve të rinj dhe të rizgjedhurve.
“Diaspora jep kontribut në fushat e kulturës, ekonomisë dhe jetës sociale që mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për atdheun dhe për shtetet që jetojnë tani. Diaspora nuk është eksperiment as talking points (temë diskutimi). Është një resurs që nuk është shfrytëzuar siç duhet. Ka ardhur koha që Shqipëria ta konsiderojë Diasporën si partner dhe asset. Minimumi Shqipëria duhet ti japi të drejtën e votës Diasporës që është një e drejtë themelore”, tha Gjonaj.
Ndërsa Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani falënderoi anëtarët duke theksuar se Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre. “KKD-ja është instrumenti më i rëndësishëm që ka shteti shqiptar për të komunikuar dhe për të ndërtuar ura lidhëse me Diasporën dhe unë jam besimplotë që ekipi që jeni formuar aty do të dijë ta çojë përpara misionin e vet në mënyrën më të mirë.

Ndërkaq, ministri Hasani, duke falenderuar institucionet tjera bashkëvepruese të diasporës, nuk la jashtë vëmendjes as Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare, për kontributin e dhënë ndër vite, që nga themelimi i saj.
Pjesë e takimit ishte edhe Ilirian Celibashi, i cili tha se si institucion, nuk ishte ai që mund të siguronte votën e diasporës, pork jo është vendimmarrje dhe punë e politikbërësve.
Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Z.Lazim Destani, njëherësh dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, në fjalën e tij theksoi se, e vlerëson punën e këtij institucioni që nga krijimi dhe se mbetet shumë për të bërë në të ardhmen. „Diaspora jonë ka shumë nevojë për një koordinim edhe më të mirë me të gjitha instuticionet vendore. Meqë unë perfaqësoj Gjermaninë, mund t’ju konfirmoj se këtu jeton një pjesë e madhe e diasporës shqiptare nga vende të ndryshme, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës. Kjo diasporë është mjaft e integruar dhe është zhvilluar në shumë drejtime të ndryshme. Kemi shumë afaristë të suksesshëm, intelektualë, mjekë, inxhinierë, studentë të dalluar dhe një gjeneratë të re, e cila është duke arritur sukesese në shumë profesione. Po ashtu ka një organizim shumë të mirë nga Shoqatat e ndryshme edhe për ruajtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe. Pra, këtu në Gjermani kemi një organizim të mirë të diasporës, por që duhet edhe më shumë për ta lidhur me vendlindjet tona. Une çdo herë flas me shumë për ekonomi dhe për investimet që afaristët tanë këtu duhet më shumë të kenë qasje dhe mundësi për të investuar në vendlindjet e tyre pa pengesa të shumta që ju paraqiten, theksoi Destani.

Kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës dhe anëtar i KKD-së, Z.Ardian Lekaj ishte më kërkues ndaj KKD-së. Në mbledhjen e 18 dhjetorit, kur përkonte me mbarimin e mandatit të parë dhe nisjen e të dytit, Lekaj tha se, „mua më mungon analiza e punës së bërë nga KKD për 4 vitet e shkuara dhe oportunitetet që kemi pasur, gabimet dhe paaftësitë që na kanë munduar. „Pa analizë të tellë, nuk ka një të ardhme të KKD-së. Pa një „Swot analysis“, do bëjmë përsëri gabime dhe fajin do ia kalojmë dikujt tjetër.
KKD e vjetër, në 6 të vjetrit që u rizgjodhëm duhet të shikojmë veten në pasqyrë e t‘jua refletkojmë të rinjve çfarë pune kemi bërë, ku kemi gabuar, pse mbetëm vetëm 6, cilët janë aleatët e mundshëm, çfarë deshëm të realizojmë, cilat kanë qenë pengesat etj.“, tha Lekaj gjatë fjalës së tij në mbledhje e KKD-së.
Në lidhje me zgjedhjen e strukturave drejtuese, kryetarit, nënkryetarit dhe sekretarit të KKD-së, Lekaj ka kërkuar gjatë mbledhjes që të mos bëheshin votime. „Nuk jam dakord të bëhen votime në këtë moment, sepse nuk njihemi me njëri-tjetrin. Dhe, për anëtarët e rinj dhe nuk ishte e qartë se cilat ishin detyrat e detyrimet.
„Unë theksoj sërish që të bisedojë më gjatë për vizionin e KKD-së, strategjinë dhe rrugën që do ndjeklim për t‘a realizuar, ku çdo anëtar i vjetër apo i ri, të gjejë veten e vet dhe të pranonte detyrat“, tha Lekaj.

Ndërkohë, Nënkryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Znj.Elisabeta Katiaj, gjatë mbledhjes së KKD-së tha se, „si anëtare e KKD-së, Dhoma ka propozuar që në Programin e Reformës Ekonomike të perfshihet Diaspora në listën e prioriteteve, si një potencial i rëndësishëm për partneritet në sipërmarrje, investime etj“.
„Në Strategjinë Kombëtare S3, Shqipëria Inteligjente, Diaspora është përfshirë ne tri shtyllat kryesore. Të dyja këto strategji do te kenë edhe një plan veprimi me financime dhe grante gjithashtu.
E treta, ne kërkojmë të identifikojmë nëpërmjet një logo diasporen shqiptare, që t‘a lidhim në mënyrë simbolike dhe vizuale „Made By Albanians“. Në këtë mënyrë mund të ndërlidhet edhe plani i veprimit të promovimit të Made in Albania me atë Made by Albanians.“, theksoi Katiaj.

Për këtë mandat të dytë u rizgjodh kryetar Mark Gjonaj, përfaqësues i komunitetit shqiptar në SHBA, nën kryetare Anxhela Paparizo, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Kanada dhe sekretare Ira Londo, përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Greqi.
Më poshtë gjeni dhe njoftimin e plotë për shtyp të KKD-së:
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Diasporës dhe Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve më 18 dhjetor, u zhvillua mbledhja e Këshillit Koordinues të Diasporës, ku këtë herë ka përkuar edhe me mandatin e dytë të këtij këshilli.
Me pjesëmarrje nga qeveria shqiptare dhe institucionet mbështetëse, diskutimet e gjata janë mbyllur me shumë pozitivitet e vullnet të palëkundur për rienergjizimin e organeve të Diasporës, me zgjidhjen dhe realizimin e çështjeve të rëndësishme.
Mbledhja u hap nga Kryetari i Këshillit, Z.Mark Gjonaj, i cili duke i uruar suksese anëtarëve të zgjedhur për herë të parë, u ndal tek rëndësia e diasporës shqiptare në fusha të ndryshme të vendit dhe angazhimin që duhet të kenë anëtarët e këtij Këshilli në forcimin e marrëdhënieve të Diasporës me institucionet shtetërore shqiptare.
Të pranishëm në mbledhje Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, zv/ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo dhe Zv/ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Besart Kadia. Ministri Igli Hasani ka falënderuar anëtarët duke theksuar se “Këshilli synon mbrojtjen dhe forcimin e marrëdhënieve me diasporën shqiptare si dhe i siguroi ata për mbështetjen e plotë në veprimtarinë e tyre”.
Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, në fjalën e saj prezantoi projektet dhe angazhimin që ka kjo ministri për diasporën shqiptare.
Lavdrim Krrashi, Kryetar i Nënkomisionit për Diasporën dhe Migracionin, ndër të tjera u ndal në të drejtën e votës duke theksuar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë parashikuar të drejtën e diasporës për të votuar dhe si ligjvënës janë angazhuar në dhënien e kontributit në drejtim të mundësimit dhe përmirësimeve ligjore që i shërbejnë interesit të diasporës sa i takon votimit nga jashtë vendit.
Gjithashtu, pjesë e takimit ishte edhe z.Ilirian Celibashi, i cili në fjalën e tij siguroi bashkëpunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të realizuar votën e diasporës.
Znj. Romina Kuko theksoi rëndësinë e regjistrimit të adresave të diasporës shqiptare dhe punën që po bën Ministria e Brendshme për të thjeshtuar procedurat e regjistrimit nëpërmjet portalit e-Albania.
Në pjesën e dytë anëtarët u njohën me aktivitetet e institucioneve shtetërore të diasporës si dhe diskutuan për ecurinë e mëtejshme të punës dhe funksionimin e këtij Këshilli, me qëllim krijimin e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve shtetërore me komunitetet shqiptare kudo në botë.
Në pjesën e fundit janë miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Këshillit dhe janë zhvilluar zgjedhjet për mandatin e ri të kryesisë. Anëtarët zgjodhën si kryetar z. Mark Gjonaj, nënkryetare znj. Angela Paparizo si dhe sekretare znj. Ira Londo.
Këshilli Koordinues për Diasporën falenderon njëzëri të gjithë anëtarët dhe kryesinë e mandatit të mëparshëm për kontributin e tyre.
Anëtarët e Këshillit Koordinues për mandatin 2023-2027 janë si më poshtë:
Mark Gjonaj – Kryetar – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Anxhela Paparizo – Nënkryetare – Kanada
Ira Londo – Sekretare – Greqi
Anila Hyka Smorgrav – Francë
Ardian Lekaj – Holandë
Besmir Rrjolli – Itali
Brikena Muharremi – Britani e Madhe
Drita Gjongecaj – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Emina Cunmulaj – Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ermal Sulaj – Greqi
Lazim Destani – Gjermani
Mirela Mezani- Zvicër
Rosario Peta – Itali
Sezar Jakupi – Australi
Vaxhid Sejdiu – Zvicër

Related Posts