Menu

Dosja Nr.2 e pronave në Himarë, Ardian Musta i ALUIZN-it në Vlorë dhe biznesmeni Gjikoka, merren të pandehur për “Ambel Beach”

Shtatë zyrtarë të ALUIZNI-t në Vlorë dhe Helidon Gjikoka, vihen nën akuzë, duke u dërguar si të pandehur në gjykatën e Vlorës për “Falsifikim të dokumentave” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”. Një dosje e dytë penale, kundër zyrtarëve të ALUIZN-it në Vlorë dhe biznesmenit, Helidon Gjikoka, është dërguar në gjykatën e këtij qyteti, ku të pandehur rezultojnë të jenë marrë 8 persona.

Ardian Musta, në cilësinë e zyrtarit që drejtonte, Drejtorinë Rajonale Vlorë, është marrë i pandehur për akuzën e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim. Kjo pasi gjatë hetimit të çështjes penale me Nr.1600, e udhëhequr nga prokurori, Agron Kuliçaj, është konstatuar se dosja e legalizimit të restortit turistik “Ambel Beach”, në emër të biznesmenit, Helidon Gjikoka, ka pasur mangësi në praktikën e përpilimit të dokumentacionit.

Zhdukja e dokumenteve nga kjo dosje e legalizimit, sipas hetimeve të kryera është kryer nga ish-drejtori i Legalizimeve Vlorë, Ardian Musta dhe zyrtarët e tjerë të marrë të pandehur si Adiseldo Rrapaj, Mimoza Rushani dhe Krupskaja Gjika. Ndërsa 4 personat e tjerë si Andi Haxhiaj, Ermal Mahilaj, Ariton Kasaj dhe biznesmeni tashmë i shpallur në kërkim, Helidon Gjikoka, janë marë të pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.

Hetimi për këtë çështje është rregjistruar në prokurorinë e Vlorës në 23 shtator 2019, ku kallëzues është Ilir Koka, pronari i tokës ku u ngrit resorti turistik në emër të Helidon Gjikokës. Ky i fundit, e ka marrë me qira sipërfaqen e tokës nga Ilir Koka, duke ndërtuar më pas 12 objekte në zonën e bregdetit të Gjilekës. Por teksa ka përfunduar hotelin, biznesmeni Helidon Gjikoka, ka kryer disa manovra proceduriale me ALUIZNI-n në Vlorë, duke arritur të legalizojë 12 objektet e ndërtuara në tokën e shtetasit Ilir Koka. Rezulton sipas hetimit se biznesmeni Gjikoka, nga qiramarës është kthyer në pronar me çertifikatë legalizimi dhe vërtetim hipotekor nga kadastra e Vlorës.

Tashmë pas dy vite hetime, e gjithë skema e falsifikimit të dokumenteve me qëllim tjetërsimin e pronës në bregdetin e jugut, është zbuluar dhe se prokuroria u ka komunikuar akuzat 8 personave, me të cilëve 7 zyrtarëve të drejtorisë së ALUIZNI-it në Vlorë. Kjo nuk është çështja e vetme për Ardian Mustën dhe Helidon Gjikokën, që merren të pandehur, pasi pak kohë më parë edhe prokuroria e Tiranës, vendosi marrjen të pandehur të këtyre individëve për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Gjithashtu, Ardian Musta në muajin Mars 2019 është marrë i pandehur për skandalin e dhënies me koncesion të parkimeve në rrugët e Vlorës tek kompania Tis Holding L.L.C” që zotërohet nga biznesmeni, Bashkim Shalla dhe “On Track Innovations L.T.D”, që përfaqësohej me prokurorë nga izraeliti Arnon Efraty.

Por kjo çështje penale, ku Musta së bashku me Shpëtim Gjikën dhe të tjerë u morën të pandehur, u pushua nga Gjykata e Vlorës.

alert.al/

Related Posts