Menu

EFSA dhe Komisioni Evropian, fushatë për rrezikun e gripit të shpendëve

Me nisjen e sezonit të migrimit të shpendëve në vjeshtë, Europa hyn në një periudhë me rrezik të shtuar për përhapjen e gripit të shpendëve. Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) dhe Komisioni Europian kanë nisur fushatën #NoBirdFlu, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe veterinerëve për parandalimin e gripit të shpendëve.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse dhe shpërthimet mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme në fermat e shpendëve, të ndërpresin zinxhirët e furnizimit dhe të dëmtojnë të ardhurat e fermerëve, ndërsa në raste të caktuara mund të përbëjnë edhe shqetësim për shëndetin publik. Megjithatë, masat e thjeshta parandaluese mund të zvogëlojnë rreziqet.

Sipas të dhënave të publikuara nga EFSA dhe Komisioni Europian, nga tetori 2025 deri në qershor 2026 në Europë u regjistruan pothuajse 8 mijë shpërthime të gripit të shpendëve. Zbulimet te shpendët e egër ishin katër herë më të larta krahasuar me dimrin e mëparshëm.

Një pjesë e madhe e infektimeve në fermat e shpendëve u lidh me kontaktin, direkt ose indirekt, me shpendët e egër. Për këtë arsye, autoritetet europiane e konsiderojnë forcimin e biosigurisë një nga masat kryesore për të parandaluar futjen e virusit në ferma dhe përhapjen e tij më tej.

Pesë masa për të ulur rrezikun

Në kuadër të fushatës #NoBirdFlu, EFSA dhe Komisioni Europian kanë publikuar materiale praktike për fermerët dhe mbajtësit e tufave të vogla.

Masat kryesore përfshijnë kontrollin në ferma, pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt, shmangien e kontaktit me zogjtë e egër, mbajtjen të ndara të specieve të ndryshme të shpendëve, si dhe identifikimin e hershëm të shenjave të sëmundjes.

“Parandalimi i gripit të shpendëve fillon me biosigurinë e përditshme” tha Nikolaus Kriz, drejtor Ekzekutiv i EFSA-s, duke theksuar rëndësinë e kthimit të njohurive shkencore në masa konkrete që mund të zbatohen në ferma.

Edhe Komisioni Europian e lidh rritjen e rrezikut me lëvizjen sezonale të shpendëve. Claire Bury, zv.drejtoreshë e Përgjithshme për Qëndrueshmërinë Ushqimore në Komisionin Europian, tha se gripi i shpendëve nuk ndalet në kufij dhe se bashkëpunimi mes vendeve dhe sektorëve është i nevojshëm për të kufizuar shpërthimet.

Fushata ka vënë në dispozicion edhe një paketë materialesh informuese, përfshirë postera, video dhe materiale për rrjetet sociale, të cilat synojnë të ndihmojnë fermerët të zbatojnë masat parandaluese në përditshmëri.

Me afrimin e muajve të dimrit dhe intensifikimin e migrimit të shpendëve, autoritetet europiane u kërkojnë fermave të mos presin shfaqjen e rasteve, por të forcojnë masat e biosigurisë që në fillim të sezonit.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts