EFSA ka publikuar raportin e saj vjetor për mbetjet e pesticideve që gjenden në ushqim në Bashkimin Evropian. Raporti është bazuar në të dhëna nga aktivitetet zyrtare të kontrollit kombëtar të kryera nga vendet anëtare të BE-së, Islanda e Norvegjia dhe përfshin marrjen e mostrave në shënjestër dhe ato të rastit.
Një total prej 91,015 mostrash janë analizuar në 2018, 95.5% e të cilave janë në nivele të lejuara me ligj. Raporti jep një pamje të pranisë së mbetjeve të pesticideve në ushqim në BE dhe çdo rrezik të mundshëm për shëndetin e konsumatorit. Ai gjithashtu siguron informacion të rëndësishëm mbi rrezikun, ku mund të bazohen vendimet në lidhje me masat e ardhshme të kontrollit.
Bernhard Url, Drejtori Ekzekutiv i EFSA tha: “Për shumë vite ky raport ka mbështetur punën e Komisionit Evropian dhe të Shteteve Anëtare në sigurimin e përdorimit të duhur të pesticideve në përputhje me legjislacionin dhe objektivat e BE-së. Grumbullimi i efektshëm dhe analizimi i rreptë i të dhënave do të vazhdojnë të jetë me rëndësi për sigurinë ushqimore në Bashkimin Evropian”.
Bazuar në rrezik kundrejt mbledhjes së rastësishme.
Seksioni mbi të dhënat e mbledhura në mënyrë të rastësishme është veçanërisht i dobishëm pasi mbulon të njëjtin shportë të produkteve në një rotacion tre-vjeçar, që do të thotë se trendet rritëse ose rënëse mund të identifikohen për mallrat specifike. Për shembull, ndërmjet 2015 dhe 2018 përqindja e mostrave me tejkalime të mbetjeve u rrit në banane (nga 0.5% në 1.7%), speca (1.2% në 2.4%), patëllxhanë (0.6% në 1.6%) dhe rrush (1.8% në 2.6%). Nga ana tjetër, tejkalimet ranë në vitin 2018 në krahasim me vitin 2015 për brokolin (nga 3.7% në 2%), vaj ulliri (0.9% në 0.6%) dhe vezët e pulës (0.2% në 0.1%).
Këtë vit EFSA ka përkthyer rezultatet e programit të koordinuar në grafikë, për t’i bërë të dhënat më të arritshme.
Programet e kontrollit kombëtar janë të bazuara në rreziqe, produkte që ka të ngjarë të përmbajnë mbetje pesticidesh ose për të cilat janë identifikuar shkeljet ligjore në vitet e kaluara. Këto programe u japin informacion të rëndësishëm menaxherëve të rrezikut por ndryshe nga të dhënat nga programi i koordinuar me BE-në, ato nuk japin një tablo statistikisht përfaqësuese të niveleve të mbetjeve, që dikush do të priste t’i gjente në ushqime në raftet e dyqaneve nëpër Evropë.
Vlerësimi i rrezikut
EFSA kreu një vlerësim të rrezikut dietik, si pjesë e analizës së rezultateve. Kjo sugjeroi që produktet ushqimore të analizuara në 2018 nuk kanë gjasa të përbëjnë shqetësim për shëndetin e konsumatorit. Sidoqoftë, një numër rekomandimesh janë propozuar për të rritur efikasitetin e sistemeve evropiane të kontrollit, duke vazhduar kështu të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së konsumatorit.
Qendra Alert/Alert.al

