Emisioni “Alert” në “Ora News” solli të premten në mbrëmje një panoramë historike e profesionale mbi rolin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe kontributin e veterinerëve në garantimin e sigurisë ushqimore, në një moment simbolik kur bota shënon 80 vjetorin e Kombeve të Bashkuara dhe të FAO-s.
Në pjesën e parë të emisionit, Dr. Jason Aldiss, president i Unionit Evropian të Veterinerëve të Higjienës, nënvizoi rolin kritik të veterinerëve në zinxhirin global të prodhimit ushqimor. “Publiku shpesh na sheh si mjekë të kafshëve shtëpiake, por në fakt 40% e tregtisë botërore kalon me firmën e një veterineri,” – theksoi ai, duke shtuar se pa mbështetje institucionale të fortë, as siguria ushqimore dhe as ekonomia nuk mund të jenë të qëndrueshme.
Në vijim, Ervin Resuli, president i Urdhrit të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, kujtoi 10 vitet e para të këtij institucioni, të cilat i cilësoi si dekadë përpjekjesh për forcimin e standardeve dhe profesionalizmit në mjekësinë veterinare. “Në themel të Urdhrit qëndron mbikëqyrja dhe ngritja e standardeve. Përmes bashkëpunimeve dhe trajnimeve kemi sjellë në Shqipëri më të fundit e shkencës veterinare,” – u shpreh Resuli.
Në të njëjtin drejtim, Rami Selmani, zv.president i Dhomës së Veterinerëve të Maqedonisë së Veriut, përmendi rezultatet konkrete që ka sjellë bashkëpunimi mes dy vendeve. “Që prej marrëveshjes së parë të nënshkruar në vitin 2016, kemi parë përparime të dukshme dhe një frymë të re bashkëpunimi rajonal,” – deklaroi ai.
Pjesa e fundit e programit iu kushtua 80-vjetorit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).
Lorena Pëllumbi, drejtuesja e Zyrës së FAO-s në Shqipëri, solli kujtimin e rrugëtimit të vendit tonë si një ndër anëtaret më të hershme të kësaj organizate. “Shqipëria është një nga shtetet më të vjetra në rajon që ka aderuar në FAO. Mbi pesë dekada më parë, vendi ynë iu bashkua këtij rrjeti botëror të zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes,” – theksoi ajo, duke e quajtur FAO-n “organizata e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”.
Në 80 vjet histori ndërkombëtare, FAO dhe Shqipëria ecin paralel, duke dëshmuar se ushqimi, siguria dhe profesionalizmi janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe mirëqenia e brezave që vijnë.


