Menu

Fushata #PlantHealth4Life është rikthyer, më e madhe dhe më e mirë! Evropa bashkohet për të mbështetur shëndetin e bimëve, biodiversitetin dhe ekonominë

Një koalicion i gjerë partnerësh nga e gjithë Evropa kanë bashkuar forcat për të nisur sot vitin e dytë të fushatës #PlantHealth4Life, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për lidhjet e thella midis shëndetit të bimëve dhe jetës sonë të përditshme, duke stimuluar veprimet e qytetarëve për të mbrojtur shëndetin e bimëve. Fushata drejtohet nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), Komisioni Evropian (KE) dhe 22 vende evropiane.

Si ndikon shëndeti i bimëve në jetën tonë?

Bimët përbëjnë 80% të ushqimit që hamë dhe pastrojnë ajrin që thithim. Por, kjo nuk është e gjitha: Bimët e shëndetshme nënkuptojnë rendiment të mirë bujqësor, i cili ndikon në disponueshmërinë e ushqimit dhe çmimet e ushqimit për konsumatorët. Ndryshimet klimatike dhe aktivitetet njerëzore, si tregtia dhe udhëtimet i vënë bimët nën presion të madh; përhapja e dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve mund të ketë pasoja shkatërruese ekonomike dhe mjedisore. Mendoni për sëmundjen e patates, që në mesin e shekullit të 19-të çoi në një humbje shkatërruese të të korrave, e cila ishte një faktor kyç në urinë irlandeze të patates.

Megjithatë, shumë qytetarëve evropianë ende u mungon vetëdija e mjaftueshme, se përse ka rëndësi shëndeti i bimëve. #PlantHealth4Life synon të rrisë ndërgjegjësimin kolektiv për rreziqet për shëndetin e bimëve dhe për rolin që secili prej nesh duhet të luajë për të mbrojtur bimët.

“Shëndeti i bimëve ndikon jo vetëm në mjedis, ekonomi dhe zinxhirin ushqimor evropian, por edhe të tashmen dhe të ardhmen tone. Duke i mbajtur bimët të shëndetshme, ne po mbrojmë jetën. Prandaj është një burim krenarie të shohim, se si evropianët janë të angazhuar në këtë temë, siç tregohet nga pjesëmarrja e paprecedentë e shteteve anëtare në fushatën #PlantHealth4Life”, tha Tobin Robinson, Shefi i Njësisë së bimëve të EFSA, i cili prezantoi fushatën në simpoziumin “Shëndeti i bimëve pa kufij”, organizuar nga Presidenca belge e Këshillit të Evropës.

“Qytetarët e informuar evropianë, të armatosur me informacion të saktë mbi shëndetin e bimëve mund të ndihmojnë në mbrojtjen dhe ruajtjen e biodiversitetit tonë”, tha Claire Bury, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme për Qëndrueshmërinë Ushqimore të DG SANTE. Sipas tij, “shëndeti i bimëve është një prioritet për Komisionin Evropian në kuadër të qasjes ‘Një Shëndet’. Duke informuar njerëzit për rëndësinë e mosimportimit të dëmtuesve në Bashkimin Evropian dhe duke i fuqizuar ata me njohurinë për të ndërmarrë veprimet e duhura, ne mund të bëjmë një ndryshim”.

Veprimet e çdo evropiani janë kyçe për t’i mbajtur bimët të shëndetshme. Vizitoni faqen e fushatës #PlantHealth4Life dhe zbuloni, se si mund të mbroni shëndetin e bimëve. Do të gjeni burime të disponueshme në të gjitha gjuhët e BE-së, duke përfshirë materialet e shtypit, postimet në mediat sociale për t’i shpërndarë në kanalet tuaja dhe video. Ju mund t’i gjeni informacione të dobishme veçanërisht nëse jeni:

  • Një udhëtar kurioz që i pëlqen të eksplorojë botën dhe natyrën.
  • Një kopshtar që rrit dhe kujdeset për perimet, lulet dhe pemët në shtëpinë, në oborrin e shtëpisë ose në ballkonin tuaj.
  • Një prind, i shqetësuar për ushqimin që hanë fëmijët tuaj dhe i etur për të mbrojtur komunitetet bujqësore, mjedisin dhe biodiversitetin për brezat e ardhshëm.

Këtë vit ka shumë mundësi për të marrë pjesë në fushatën, e cila do të vizitojë panaire, ekspozita dhe shkolla në vendet pjesëmarrëse. Shikoni faqen kombëtare të faqes së internetit të fushatës për të parë se çfarë po ndodh në vendin tuaj dhe qëndroni të sintonizuar për më shumë informacion kur të bëhet i disponueshëm!

Rreth fushatës

#PlantHealth4Life është një fushatë shumëvjeçare dhe shumëkombëshe e zhvilluar me kërkesë të KE-së dhe e bazuar në një analizë të thellë të perceptimeve dhe sjelljeve për shëndetin e bimëve në të gjithë BE-në. Këtë vit, fushata përfshin 21 shtete anëtare dhe një vend kandidat, duke dyfishuar shtrirjen nga viti i kaluar: Belgjika, Kroacia, Qiproja, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mali i Zi.

Burimi: Efsa.eu

Qendra ALERT / ALERT Center

Related Posts