Nga ‘EUChooseSafeFood’ në ‘Safe2Eat’: EFSA dhe partnerët e saj në Shtetet Anëtare të BE-së kthehen me angazhim të rinovuar dhe pjesëmarrje të zgjeruar në të gjithë Evropën, duke u mundësuar konsumatorëve të bëjnë zgjedhje ushqimore të besueshme.
Duke u mbështetur në suksesin e tre viteve të mëparshme, Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA) dhe partnerët e tij në Shtetet Anëtare të BE-së kanë nisur fushatën Safe2Eat 2024. E njohur më parë si #EUChooseSafeFood, fushata rikthehet e riemërtuar dhe me një angazhim të rinovuar për të promovuar ndërgjegjësimin për sigurinë ushqimore tek qytetarët evropianë.
Këtë vit, fushata zgjeron shtrirjen e saj me 17 vende që bashkojnë forcat për të ndihmuar konsumatorët të marrin vendime të informuara për zgjedhjet e tyre ushqimore. Vendet pjesëmarrëse për vitin 2024 përfshijnë Rumaninë, Çekinë, Hungarinë, Greqinë, Estoninë, Kroacinë, Italinë, Letoninë, Qipron, Slloveninë, Spanjën, Luksemburgun, Sllovakinë, Austria, Poloninë, Portugalinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Fuqizimi i konsumatorëve për të bërë zgjedhje të besueshme
Hulumtimi i kryer nga EFSA në bashkëpunim me IPSOS në 2023, zbuloi se gati 70% e evropianëve shprehin interes për sigurinë ushqimore. Megjithatë,rreth 60% e konsiderojnë informacionin e sigurisë ushqimore shumë teknik dhe sfidues për t’u kuptuar. Si përgjigje, ky botim i ri synon të komunikojë shkencën që qëndron pas ushqimit tonë në një mënyrë të qartë, të saktë, por siguruese dhe të kuptueshme. Objektivi është t’u mundësohet qytetarëve që të marrin vendime të mirëinformuara për konsumin e ushqimit, duke garantuar sigurinë dhe shëndetin në zgjedhjet e tyre të përditshme.
Nën flamurin e #Safe2EatEU, fushata vazhdon të fokusohet në edukimin e qytetarëve për aspekte të ndryshme të sigurisë ushqimore. Këto përfshijnë sëmundjet që vijnë nga ushqimi, teknikat e duhura të trajtimit të ushqimit, rëndësinë e leximit të etiketave ushqimore dhe promovimin e praktikave të reduktimit të mbetjeve ushqimore.
Fushata thekson gjithashtu rëndësinë e një diete të ekuilibruar, sigurinë e suplementeve ushqimore dhe nevojën për të vërtetuar shkencërisht pretendimet shëndetësore mbi produktet ushqimore. Për më tepër, ai synon të rrisë ndërgjegjësimin për sigurinë e aditivëve ushqimorë dhe ushqimeve të reja, dhe praninë e alergeneve ushqimore.
“Në gjithë Evropën, konsumatorët zgjedhin çdo ditë çfarë të blejnë dhe çfarë të hanë, duke peshuar faktorë të tillë si kostoja, shija, qëndrueshmëria dhe origjina e ushqimit. Falë standardeve të larta të sigurisë ushqimore të mbështetura nga BE, konsumatorët mund të besojnë se çfarëdo që vendosin të blejnë dhe konsumojnë, është e sigurt për t’u ngrënë. Fushata #Safe2EatEU synon pikërisht të krijojë lidhjen midis shkencës së sigurisë ushqimore dhe ushqimit që ne shijojmë, duke i lejuar njerëzit të bëjnë zgjedhje të informuara me besim”, tha Drejtori Ekzekutiv i EFSA, Bernhard Url.
Me fillimin e fushatës së 2024-ës, iniciativat po shpërndahen si në nivel të BE-së ashtu edhe në nivel kombëtar në të 17 vendet pjesëmarrëse. Qytetarët inkurajohen të vizitojnë faqen e internetit për informacion të plotë mbi temat e sigurisë ushqimore dhe të shkarkojnë paketën e mjeteve të fushatës ku do të gjejnë burime të disponueshme në gjuhë të ndryshme.
Burimi: Efsa.eu
@Qendra ALERT


