Rënia e vazhdueshme e euros dhe forcimi i lekut po mbeten një burim shqetësimi për bizneset shqiptare, veçanërisht për eksportuesit dhe kompanitë që realizojnë të ardhurat në valutë. Por, pavarësisht efekteve që kursi i këmbimit ka mbi konkurrueshmërinë dhe fitimet e tyre, Banka e Shqipërisë nuk e konsideron pjesë të mandatit të saj ndërhyrjen për të mbrojtur sektorë të veçantë të ekonomisë. Guvernatori Gent Sejko ia delegoi këtë përgjegjësi politikave fiskale, ndërsa theksoi se kursi i këmbimit përcaktohet nga tregu dhe jo nga autoriteti monetar.
Gjatë konferencës “E ardhmja e ekonomisë”, të organizuar nga revista Monitor, Sejko iu përgjigj shqetësimeve të bizneseve për zhvlerësimin e euros, duke argumentuar se Shqipëria operon me një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku vlera e monedhës përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Sipas tij, prurjet e mëdha valutore, rritja ekonomike dhe formalizimi i ekonomisë janë ndër faktorët që kanë ndikuar në forcimin e lekut.
Guvernatori nënvizoi se Banka e Shqipërisë nuk mund të përdorë politikën monetare për të favorizuar industri të caktuara, pasi objektivi i saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar. “Kursi i këmbimit na ndihmon të frenojmë inflacionin, ndërsa janë politikat fiskale ato që mund të mbështesin sektorë dhe industri të caktuara. Nuk është roli i Bankës Qendrore, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër, të ndërhyjë për të favorizuar industri apo sektorë të veçantë”, deklaroi Sejko.
Ky qëndrim vjen në një kohë kur bizneset, veçanërisht ato eksportuese, përballen me vështirësi nga konvertimi i të ardhurave në euro në një monedhë vendase gjithnjë e më të fortë. Një euro më e dobët do të thotë më pak lekë për të njëjtën vlerë të ardhurash, duke ndikuar drejtpërdrejt në marzhet e fitimit, kostot dhe aftësinë konkurruese të kompanive shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, sipas Sejkos, zgjidhja për këto problematika nuk duhet kërkuar te ndërhyrjet e Bankës Qendrore për të mbajtur një kurs të favorshëm për bizneset, por te politikat fiskale dhe mënyra se si kompanitë menaxhojnë ekspozimin e tyre ndaj valutës.
Një tjetër argument i guvernatorit lidhet me ndikimin e kursit të këmbimit në çmimet e konsumit. Ai kundërshtoi idenë se forcimi i lekut duhet të shoqërohet automatikisht me uljen e çmimeve, duke theksuar se inflacioni mund të vijojë edhe në kushtet e një monedhe vendase të mbiçmuar. Sipas tij, nëse leku do të zhvlerësohej, presionet mbi çmimet do të ishin edhe më të mëdha, për shkak të kostos së importeve.
“Çmimet mund të vijojnë të rriten, por do të ishin edhe më të larta nëse do të ndodhte e kundërta, pra nëse monedha kombëtare do të zhvlerësohej” tha Sejko. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë synon ta mbajë inflacionin në nivele të kontrolluara, por për këtë qëllim ekzistojnë edhe instrumente të tjera ekonomike.
Sa u përket ndërhyrjeve në tregun valutor, guvernatori sqaroi se ato nuk kanë pasur si objektiv mbështetjen e sektorëve të caktuar, por stabilizimin e tregjeve dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Sipas tij, ndërhyrjet kanë ndihmuar në ngadalësimin e shpejtësisë së mbiçmimit të lekut, duke u dhënë bizneseve më shumë kohë për t’u përshtatur me lëvizjet e kursit të këmbimit.
Sejko theksoi se kompanitë mund të përdorin instrumente financiare si kontratat “forward” dhe “swap”, për të kufizuar ekspozimin ndaj luhatjeve valutore dhe për të menaxhuar më mirë të ardhurat e tyre. Megjithatë, këto instrumente kërkojnë njohuri dhe kapacitete financiare, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të disponueshme për të gjitha bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Një nga çështjet më të ndjeshme të ngritura gjatë diskutimit ishte edhe origjina e flukseve të mëdha të euros që hyjnë në ekonomi. Në kushtet kur forcimi i lekut lidhet me ofertën e lartë të valutës, pyetjet mbi burimin e këtyre parave mbeten të rëndësishme. Sejko pranoi se Banka e Shqipërisë nuk ka mundësi t’i masë drejtpërdrejt flukset e parave me origjinë të paligjshme, pasi bilanci i pagesave pasqyron tregues të tjerë.
“Si Bankë Qendrore, ne nuk mund t’i matim drejtpërdrejt këto flukse, pasi bilanci i pagesave na jep të dhëna të tjera. Ato nuk rezultojnë të pastrohen përmes sistemit bankar”, deklaroi guvernatori. Ai shtoi se sistemi bankar është i kontrolluar dhe i mbikëqyrur, ndërsa përgjegjësinë për identifikimin dhe ndalimin e flukseve të paligjshme ia atribuoi agjencive të tjera ligjzbatuese.
Në këtë mënyrë, edhe pse pranon se flukset e mëdha valutore ndikojnë në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë nuk jep një matje të drejtpërdrejtë të parave me origjinë të paligjshme që mund të qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Kjo lë të hapur një pikëpyetje të rëndësishme mbi peshën dhe ndikimin e këtyre flukseve në tregun valutor.
Sa i përket të ardhmes, Sejko nuk përjashtoi vijimin e forcimit të monedhës vendase, nëse ekonomia do të ruajë ritmet aktuale të rritjes. Sipas tij, një ekonomi që rritet me rreth 4% në vit, e shoqëruar me formalizim dhe hyrje të mëdha valutore nga burime e kanale të ndryshme, krijon kushtet për mbiçmimin e monedhës kombëtare. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk përbën një parashikim të sigurt për ecurinë e ardhshme të kursit.
Mesazhi i guvernatorit për bizneset ishte se Banka e Shqipërisë do të vijojë të veprojë brenda mandatit të saj, pa marrë përsipër të korrigjojë pasojat që kursi i këmbimit sjell për industri të veçanta. Ndërsa për eksportuesit dhe kompanitë që operojnë në euro, sfida e përballimit të një leku të fortë mbetet aktuale, pa një garanci se kjo tendencë do të ndryshojë në periudhën e ardhshme.
Qendra Alert/Alert.al


