Menu

Helmimi në kopshtin e Gramshit/AKU: Deri tani nuk është konstatuar Salmonelë, analizat për vezët dhe mishin e pulës vijojnë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e helmimit në kopshtin numër 1 në qytetin e Gramshit, duke publikuar rezultatet paraprake të analizave mbi produktet ushqimore të konsumuara nga fëmijët.

Sipas AKU, mostrat e marra për analizë nga produktet qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara në Gramsh dhe nga furnizuesi në Tiranë, nuk kanë rezultuar të kontaminuara me bakterin Salmonella spp.

Kampionimi është kryer nga DRAKU Elbasan dhe DRAKU Tiranë dhe analizat janë zhvilluar pranë Laboratorit të Referencës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Deri tani kanë përfunduar analizat për:

  • Qumështin dhe kofshët e pulës të kampionuara në Gramsh nga DRAKU Elbasan

  • Qumështin, kofshët e pulës dhe vezët e kampionuara nga furnizuesi në Tiranë nga DRAKU Tiranë

Të gjitha këto produkte kanë rezultuar të pastra për treguesin Salmonella spp.

Ndërkohë, analizat për vezët e kampionuara në Gramsh dhe për një pjesë të kofshëve të pulës nga furnizuesi në Tiranë janë ende në proces. AKU ka bërë të ditur se publiku do të informohet sapo të jenë gati rezultatet e mbetura.

Në deklaratën zyrtare, AKU thekson se është angazhuar për transparencë të plotë me publikun dhe ndjekjen e procedurave ligjore për garantimin e sigurisë ushqimore.

Autoriteti shton se po ndjek edhe të gjithë zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore, për të kontrolluar nëse ka pasur probleme në prodhim, ruajtje apo shpërndarje.

Ndërkohë, analizat për 72 persona të dyshuar si të prekur nga helmimi, përfshirë 53 fëmijë dhe 19 punonjës të kopshtit, po kryhen në Institutin e Shëndetit Publik.

Ngjarja ndodhi më 20 maj, por u bë publike disa ditë më vonë pas një denoncimi nga një familjar i një prej fëmijëve të prekur.

AKU mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë ushqimore dhe do të publikojë çdo zhvillim të ri në lidhje me këtë rast.

Related Posts