Menu

Kantinat e verës shënuan një vit të artë prodhimi

Kantinat e verës shënuan rimëkëmbje gjatë vitit 2021, duke e lidhur ngushtë këtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit. Përfaqësuesit e disa prej kantinave kryesore në vend pohojnë se janë rritur kërkesat dhe shitjet në raport me 2020, por ajo mbeten të ngadalta.
Viti 2021, gjithsesi, cilësohet “i artë” në prodhim, ku sasia e rrushit dhe cilësia e tij vlerësohen mjaft të mira, diçka që ka rritur pritshmërinë për verën e re. Gjithsesi kantinat po hasin probleme të reja që lidhen me zhvillimet e post-pandemisë siç është rritja e kostove të qelqit, etiketave, filtrave e transportit, por edhe me probleme “të vjetra” si paragjykimi i verës shqiptare nga vendasit dhe orientimi drejt importit.

Prodhimi i kënaqshëm, rritet kërkesa për verë, turizmi oksigjen për sektorin

Dy vitet e fundit, prodhimi i rrushit në vend vlerësohet në nivele të kënaqshme, të paktën sipas prodhuesve të verës. “Si vit, prodhimi ka qenë vit shumë i mbarë sepse rrallë herë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i artë për sektorin tonë.

Këtë vit, krahasuar me vitet e kaluara, Kantina Arbëri e ka shtuar kapacitetin e prodhimit deri në 2-3%” – pohoi Rigers Kaçorri, nga “Kantina Arbëri”. Shumica e kantinave e bazojnë prodhimin te vreshtat e tyre, sipërfaqet e të cilave janë rritur nga viti në vit. Një shembull të tillë ka ndjekur edhe “Kantina Çobo”, që këtë vit e siguroi shumicën e rrushit nga vreshtat e veta.

“Ne kemi nisur në fillim prodhimin e verës me rrushin e vreshtit tonë dhe duke u zgjeruar arritëm në një pikë ku 90% të rrushit e merrnim nga të tjerë. Kurse 5-6 vite më parë morëm me qira 37 hektarë toka, ish-vreshta që ishin bërë pyje dhe kemi mbjellë vreshtat tona. Në vitin 2021, rreth 60-70% e rrushit ka qenë nga vreshti ynë” – tha Muharrem Çobo.

Përfaqësuesit e kantinave raportojnë për një rritje të kërkesës në treg për verë, diçka që vjen më e theksuar në fundvit, sikurse ndodh tradicionalisht me festat, por oksigjeni i vërtetë i këtij viti ishte turizmi.

“Viti 2021 ka qenë pozitiv dhe rol kyç në këtë aspekt luajti turizmi. I lidhur ngushtë me sektorin tonë, turizmi nxiti konsumin, si në bare e restorante, por edhe në kantinat tona ku ofrohen paketa degustimi. Në tërësi, sektori shënoi rimëkëmbje dhe këtë e tregon më së miri rritja e porosive në kantina, rritja e likuiditetit. Mund të them se kemi hyrë në rrugën e normalitetit para pandemisë” – theksoi Levent Nurellari nga “Kantina Nurellari”.

Vera shqiptare, e paragjykuar nga vendasit, e preferuar nga të huajt

Kantinat shqiptare të verës, të cilat janë rritur në numër vit pas viti janë në luftë të vazhdueshme me imazhin e krijuar përgjithësisht për gjithçka që është shqiptare. Paragjykimi për markat shqiptare nga vendasit ekziston në masë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka konsumatorë besnikë vendas, por një pjesë e mirë do të preferonin më shumë një markë të huaj pa u thelluar shumë te cilësia e saj, por thjesht nga mendimi se është verë e huaj.

Në 2020-n kemi pasur gjysmën e xhiros që kemi zakonisht. Me keqardhje kuptova sesa konsumohet produkti im nga shqiptarët dhe më rezultoi vetëm gjysma e tij. Gjysmën tjetër e pinë të huajt. Shqiptarët, në pjesën më të madhe, parapëlqejnë produktin e huaj.

Ne si kantinë, por edhe të tjerët po vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe prej 22 vitesh po mundohemi të informojmë mbi verën shqiptare dhe avantazhet që kemi në raport me ato jashtë. Por sigurisht thënë nga ne si palë interesi, ka edhe një lloj mosbesimi” – pohon z. Çobo.

Në të njëjtën linjë është edhe z. Nurellari, i cili nënvizon se, pavarësisht se cilësia e disa verërave shqiptare është më e mirë se e atyre që merren nga jashtë, konsumatori shqiptar u beson më shumë etiketave të huaja. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed