Menu

Kontrabandë ilaçesh, në pranga çifti i farmacistëve në Sarandë

Një çift bashkëshortësh nga Saranda u vunë në pranga nga policia e Vlorës pasi akuzohen për kontrabandë të medikamenteve mjekësore të llojeve të ndryshme. Ata janë identifikuar si Kristo 64 vjeç dhe Aleksandra Angjeli, 62 vjeçe.

Në farmacinë e tyre në lagjen nr. 1 në Sarandë, gjatë një operacioni të policisë, u gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.

Operacioni i koduar ‘Storage’ ka vijuar me kontrollin e banesës së tyre, të cilët janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre. Pasi forcat blu arritën të hynin në banesën e tyre, zbuluan se në 2 dhoma kishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts