Më shumë se gjysma e suplementeve të kontrolluara nga autoritetet në Baden-Württemberg, Gjermani, janë të parregullta. Përqindja arrin në mbi 90 %, nëse merren parasysh vetëm ato që shiten online. Kjo zbulohet nga të dhënat e mbledhura gjatë 14 viteve të fundit nga ekspertët e CVUA (zyrat e ekzaminimit kimik dhe veterinar) në Stuttgard dhe Karlsrhue, të cilët analizojnë rregullisht suplementet ushqimore për të kontrolluar nivelet e vitaminave dhe mineraleve të deklaruara, praninë e substancave të kontaminuara, substancave dhe mikroorganizmave të ndaluara, por edhe pajtueshmërine e etiketimit.
Kontrollet mbi suplementet
Midis 2010 dhe 2023, CVUA analizoi 5,784 suplemente, nga të cilat 3,301 (57%) ishin të parregullta. Gjatë gjashtë viteve të fundit, përqindja e produkteve të parregullta është rritur, me një kulm në vitin 2019, kur 78% e mostrave rezultuan jokonform dhe u refuzua tregtimi i tyre. Shumica e parregullsive përfshinin çështje etiketimi, pretendime mashtruese dhe pretendime të paautorizuara shëndetësore. Vetëm një pjesë e vogël e produkteve të analizuara u gjetën të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum për shkak të përbërjes së tyre ose përbërësve individualë.
Mes suplementeve të testuara kishte edhe ato të raportuara nga konsumatorët, si dhe produkte të dyshimta, të mbledhura posaçërisht nga autoritetet gjermane të kontrollit të ushqimit. Mes tyre, siç parashikohej, shkalla e parregullsive ishte edhe më e lartë, e barabartë me 80% të totalit. Gjithashtu, në këtë rast, refuzimet kishin të bënin kryesisht me produkte me probleme etiketimi, deklarime mashtruese dhe pretendime të papranueshme shëndetësore. Ndër suplementet e raportuara nga konsumatorët, ekspertët gjetën një përqindje më të lartë të produkteve që ishin të dëmshme për shëndetin ose të papërshtatshme për konsum.

Tregu online
Përsa i përket tregtisë së suplementeve online, autoritetet gjermane kanë integruar një procedurë të re kampionimi në programin rutinë të kontrollit duke filluar nga viti 2022. Prandaj, në dy vitet e fundit janë kampionuar dhe analizuar 93 produkte të shitura në internet, nga të cilat mbi 90 % janë gjetur të parregullta. Për më tepër, prania e pretendimeve të paautorizuara shëndetësore në faqet e ‘e-commerce’ është më e shpeshtë: një problem i madh nëse marrim parasysh se tregu i suplementeve online po rritet vazhdimisht.
Për kë janë suplementet?
Në dritën e parregullsive të shpeshta të konstatuara në 14 vjet kontrolle, CVUA i konsideron suplementet ushqimore të panevojshme për njerëzit e shëndetshëm me një dietë të ekuilibruar, të larmishme dhe të plotë. Megjithatë, në situata të caktuara dhe për grupe të caktuara njerëzish ato mund të jenë të dobishme, për shembull:
Personat që nuk ekspozohen rregullisht në diell, të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D;
Njerëzit që hanë rrallë peshk dhe nuk përdorin kripë të jodizuar;
Të moshuarit që kanë një dietë të pabalancuar për shkak të problemeve të tretjes ose kanë nevojë për rritje të marrjes së lëndëve ushqyese për shkak të sëmundjes (veçanërisht me vitaminë B12, vitaminë D dhe kalcium);
Njerëzit me një dietë shumë të pabalancuar;
Njerëzit që me vetëdije heqin dorë nga disa ushqime, të tilla si vitamina B12 në dietën vegane dhe kalciumi për ata që nuk hanë produkte të qumështit;
Gratë në moshë të lindjes dhe gjatë shtatzënisë, pasi kanë nevojë të shtuar për hekur, jod dhe acid folik.
Për më tepër, CVUA këshillon kujdes, veçanërisht për suplementet që përmbajnë nivele shumë të larta të vitaminave dhe mineraleve, për të shmangur rrezikun e mbidozës: në fakt, nuk ka asnjë sasi maksimale ose minimale të përcaktuar me ligj për këto substanca në suplementet ushqimore, të cilat prodhuesit mund të vendosin në mënyrë të pavarur. Për më tepër, reklamat për këto produkte shpesh bëjnë pretendime të ekzagjeruara që nuk përputhen me rregulloret e BE-së, veçanërisht në internet: është mirë ta kujtojmë këtë kur vendosim të blejmë një suplement.
Burimi: ilfattoalimentare.it
Qendra ALERT


