Nga Dafina Hysa
Në Shqipëri janë jo të pakta rastet, kur ligji të njeh një të drejtë, por mosnxjerrja e akteve nënligjore, e bën të pamundur realizimin, madje sjell edhe diskriminim për qytetarët. Ligji nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, që parashikon mbështetjen e klientëve në nevojë, është i pazbatueshëm, prej mëse 5-vitesh. Tre ministritë e ngarkuara nga ligji, ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministria e Financave, nuk e futën në axhendë, miratimin e një VKM-je, që do të shpëtonte nga errësira mijëra familje me të ardhura minimale, të cilat nuk arrijnë të përballojnë faturat, madje as të lidhin fillimisht kontratën për shkak të kostos.
Furnizimi me energji elektrike është një shërbim bazik, mungesa e të cilit bëhet shkak për cënimin e të drejtave themelore të njeriut. Robert Gajda /Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndër të tjera tregon edhe një rast të rëndë, kur operatori ka lënë pa drita familjen e një fëmije me aftësi të kufizuara. “Që në fillim, kemi konstatuar që Këshilli i Ministrave është në shkelje ligjore, për mosnxjerrjen e aktit, duke diskriminuar sidomos familjet në pamundësi ekonomike. Kemi dalë me shumë vendime, nisur nga ankesat e qytetarëve. Një rast ka të bëjë me një fëmijë me aftësi të vecanta, që televizorin e kishte të vetmin mjet për t’u qetësuar. Familjes i ishte ndërprerë enegjia për mospagesë, duke shkaktuar shqetësim të madh e ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të të miturit. Po ashtu do të vecoja edhe moslidhjen e kontratës së energjisë për një grup qytetarësh, banesat e të cilëve ishin informale”.
Gjatë vitit të pandemisë, shumë fëmijë e adoleshentë, janë privuar nga e drejta për mësim.
Enkiliani nga Elbasani tregon se ka humbur pjesën më të madhe, të programit mësimor. Mungesa e dritave, e ka penguar atë që të ndjekë mësimin në kanalin e dedikuar të televizionit publik shqiptar.
Por pavarësisht kësaj, nxënësi i klasës së 7-të, pëpiqet të shfrytëzojë për studim orët e ditës, me shpresën që nesër do të sigurojë një jetë më të mirë, nga sa i kanë ofruar prindërit.
Në një situatë edhe më të vështirë gjetëm familjen Alushi në Drizë të Fierit, ku varfëria është ulur këmbëkryq. Pesë vitet e fundit, familja i ka kaluar në errësirë të plotë. Me gjithë dëshirën për të shkolluar fëmijët, shqetësimi më i madh i këtyre prindërve, është sigurimi i vaktit ushqimor të radhës, për pesë të vegjëlit e tyre.
Tre prej fëmijëve janë në ciklin fillor, por gjatë pandemisë, nuk kanë pasur asnjë mundësi për të ndjekur procesin.
77.3% e të anketuarve, në studimin e realizuar nga disa organizata të shoqërisë civile dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi e konsiderojnë ndër shqetësimet kryesore, pamundësinë e fëmijëve për të mësuar dhe për të bërë detyrat në mungesë të energjisë elektrike.
Në anketim u përfshinë mbi 1 mijë qytetarë në të gjithë vendin, të cilët listojnë problemet, që nga mungesa e ndriçimit, vështirësitë për të siguruar higjenën e nevojshme në mungesë të ujit të ngrohtë, por edhe efektet negative në shëndetin e tyre.
Drejtorja ekzekutive e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” Ersida Teliti thekson, se e drejta për standard të përshtatshëm të jetesës cënohet nëse qytetarët nuk kanë energji elektrike.
“Si një e drejtë themelore e njeriut, shteti ka detyrimin që jo vetëm ta parashikojë, por edhe ta përmbushë këtë të drejtë duke e garantuar atë. KEDNj dhe Karta Sociale Evropiane, nuk i referohen në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtës për strehim të përshtatshëm, por në jurisprudencën e GjEDNj-së, mbrojtja e saj ka ardhur si rezultat i gëzimit të të drejtave të tjera të njeriut, siç janë e drejta për jetën private, e drejta e pronës dhe gëzimi paqësor i pasurisë dhe e drejta e mbrojtjes së familjes. Gjatë realizimit të pyetësorit në terren, kemi ndeshur familje në situatë shumë të vështirë, nga mungesa e energjisë”.

Në mungesë të aktit, që do të bëjë të zbatueshëm ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, aktualisht kategorizimi i “klientëve në nevojë” bëhet përmes tre Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe konkretisht; 565/2006, 404/2012 dhe 8/2015.
Këto akte parashikojnë kompensim të energjisë elektrike për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, për ato ku kryefamiljari është me aftësi të kufizuara, për pensionistët kryefamiljarë në qytet dhe fshat si dhe punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj.
Gentjan Serjani, një nga aktivistët e përfshirë në studim, evidenton se 70% e të anketuarve kanë të ardhura, më pak se paga minimale. “Por megjithatë pjesa më e madhe nuk e përfitojnë kompensimin e energjisë për shkak të disa kufizimeve ligjore. Gjithashtu rezulton se qytetarët nuk kanë informacionin e mjaftueshëm për t’ë përfituar nga statusi”.
Referuar të dhënave zyrtare, numri i përfituesve është rreth 200 mijë familje. Por tre VKM-të, nga mënyra sesi janë hartuar përjashtojnë disa kategori që duhet të ishin përfitues.
Komisioneri Gajda shpjegon rastet kur kemi të bëjmë me diskriminim.“Përcaktohet se statusin “klient në nevojë”, mund t’a përfitojë kryefamiljari me aftësi të kufizuara, që zakonisht është bashkëshorti, por lihen jashtë mbështetjes kur me aftësi të vecanta, janë pjestarët e tjerë të familjes, gratë dhe fëmijët. Gjithashtu përfitojnë punonjësit buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj, por jo ato që punojnë në sektorin privat dhe madje kanë të ardhura edhe më të ulëta”.
Në studimin, që mundësoi një vlerësim socio-ekonomik dhe nxorri në pah efektet negative të moszbatimt të ligjit, shumica e të anketuarve pohuan nuk i kalonin 20 mijë lekë të ardhura në muaj. Ndërsa 18% e tyre konfirmuan se familjet e tyre ishin pa drita.
A e zgjidh problemin, zbatimi i Ligjit nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike?
Në vitin 2015, në përputhje edhe me Direktivën 2009/72/KE, kuvendi miratoi Ligjin nr.43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, duke parashikuar për herë të parë rregullimin e situatës për “klientin në nevojë”. Kriteret thelbësore për të përfituar këtë status përcaktohen nga ligji, ku më kryesori është ai i të ardhurave të ulëta. Sipas Komisionerit Gajda, ligji zgjidh shumë probleme aktuale, por sërish ka nevojë të zgjerohet fasha përfituese. Në vlerësimin e KMD-së, çdo familje me të ardhura nën pagën minimale zyrtare, prej 30 mijë lekësh, duhet të trajtohet si klient në nevojë. Po ashtu përfitues rekomandohet të jenë të gjithë pensionistët në fshat dhe qytet, si edhe familjet që kanë një pjestar me aftësi të kufizuara.
Komisioneri Gajda dhe ekspertja Teliti nënvizojnë se duhet të parashikohet, që klientëve në nevojë të mos u ndërpritet në asnjë rast furnizimi me energji për arsye ekonomike, si edhe të konsiderohet mundësia e faljes së debive të vjetra.
Ky artikull u publikua si pjesë e projektit “Për drejtësi më të aksesueshme për gratë dhe burrat në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe mundësohet me fonde nga Ambasada Norvegjeze.
