Ditën e sotme, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, së bashku me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Z. Artan Hoxha, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes të dyja institucioneve.
Marrëveshja e nënshkruar mes të dy palëve ka për synim formalizimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë mes Universitetit dhe Prezencës, veçanërisht në fushat e kriminologjisë, edukimit ligjor të publikut të gjerë, drejtësisë kalimtare, si dhe gazetarisë.
Fjala e Ambasadorit Del Monaco:
Faleminderit i nderuar Z. Rektor, Falënderoj Zëvendësrektorët dhe Dekanët e Fakulteteve dhe drejtimeve përkatëse akademike. Para së gjithash, dëshiroj t’ju falënderoj për privilegjin e madh që mu bë dhe njëherësh për angazhimin që mu kërkua, sepse megjithëse është e vërtetë që këtu jemi pak vetë, ju përfaqësoni drejtuesit e institucionit kryesor akademik në Shqipëri, dhe pikërisht për këtë arsye nuk është e lehtë për mua t’ju drejtohem, ngaqë ndihem më tepër si një student sesa në anën tjetër të gardhit si pedagog. Njëherësh dëshiroj t’ju shpreh respektin më të thellë juve të gjithëve, sepse puna juaj, e cila është edhe puna e një jete të tërë, është pikërisht ajo që të mbillni farat e të ardhmes së vendit tuaj. Më besoni që ky është tregues i një zemërgjerësie të madhe, por edhe i një vendosmërie të madhe, si edhe e atij optimizmit, i cili merr formë në vizionin për të ardhmen e vendit tuaj përmes syve të brezave të rinj. Që në ditët e para pas marrjes së detyrës, meqenëse mu dha rasti që një nga takimet e para t’i mbaja me Z. Rektor, i thashë atij se arsimi nuk bën pjesë në mandatin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Mirëpo, arsimi është një mjet i një rëndësie parësore për arritjen e një vargu përparësish që bëjnë pjesë një për një dhe së bashku në mandatin e Prezencës që kam kënaqësinë ta drejtoj këtu në Shqipëri. Ekziston tashmë një larmi aktivitetesh të përbashkëta mes Prezencës dhe Universitetit, kuptohet edhe falë mbështetjes dhe bashkëpunimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Më vjen mirë që ato janë kaq të suksesshme. Jeni pikërisht ju që e vlerësoni suksesin e tyre, janë pikërisht studentët tuaj ata që e matin atë. Është kënaqësia ime që ta konstatoj, ta raportoj edhe ta lavdëroj atë pranë selisë kryesore të OSBE-së, e cila njihet ndryshe si Sekretariati dhe që ndodhet Vjenë. Në këtë pikë, përfitoj nga rasti që të falënderoj gjithë ekipin tim, duke filluar me kolegët që janë të pranishëm në këtë sallë, sepse e vërteta është që gjërat funksionojnë vetëm nëse bëhen së bashku. E vërteta është se kur ecim vetëm arrijmë më shpejt, por kur punojmë së bashku shkojmë shumë më larg. Më duhet ta pranoj që ushqej një interes të veçantë në lidhje me çështjen e arsimit, sepse pikërisht tek arsimi i ka rrënjët kultura e ligjshmërisë, e ka zanafillën kultura e qytetarisë, por edhe pikërisht aty lind e ardhmja e Shqipërisë. Kjo sepse universiteti si institucion nuk është vetëm vendi ku pedagogët derdhin litra e litra njohurie mbi trutë e studentëve, por aty ofrohet shumë më tepër, sepse duke pasur parasysh moshën e rritur të studentëve dhe aftësitë tuaja për ta shfrytëzuar si duhet pjekurinë tuaj akademike, studentëve iu jepet një potencial i madh, të cilin do ta përshkruaja si një lloj shumëfishuesi kejnesian, një faktor K, i cili shumëzon potencialin e tyre, dhe në të njëjtën kohë shumëzon shkallën e njohurive të tyre duke i çuar ato përtej nocioneve të thjeshta. Një gjë për të cilën kurrë nuk i kam dhënë vetes një shpjegim bindës, është fakti që në vendin tim kemi Ministrinë e Arsimit Publik, ndërsa partnerët tanë evropianë flasin për the Ministry of Education apo për Ministère de l’Éducation nationale. Në realitet, ju nuk i jepni vetëm arsim studentëve tuaj, por madje i edukoni ata, pra, i nxisni dhe i drejtoni ata drejt zbulimit të të resë, duke i detyruar ata që të kapërcejnë cakun e njohurive të fituara të deri në atë pikë. Ndjej shumë kënaqësi, sepse jam thellësisht i bindur për atë që më pas mundohem t’ua transmetoj fëmijëve si pedagogu i familjes sime ditë për ditë, pra, që njeriu mund të jetojë për një kohë të gjatë i shtyrë nga forca e zakonit, por ai jeton me të vërtetë vetëm kur pushtohet nga parehatia. Universiteti është pikërisht vendi ku ngjallet kjo parehati te brezat e rinj, është vendi që i nxit që ta kenë këtë nevojë, këtë etje për dije që hedh themelet e Shqipërisë të së ardhmes duke shfrytëzuar pasurinë e Shqipërisë së sotme dhe ata shumë intelektualët e Shqipërisë të së kaluarës. Prandaj, jam unë që duhet t’ju falënderoj juve Z. Rektor, jam unë që duhet t’ju falënderoj profesorë të dashur për këtë privilegj, për këtë mundësi të shkëlqyer dhe do të doja të ishte pak si të lexoja fizikën e metafizikës: më jepni një pikë dhe do ta lëviz botën për ju. Kjo është një pikënisje për ta zgjeruar më tej fushështrirjen e bashkëpunimit tonë, duke pasur OSBE-në si timon, parimet, vlerat dhe angazhimet që gjenden në dokumentet themelore të OSBE-së si busull, ndërsa juve si timonierë, sepse nuk ka asnjë erë të favorshme për atë që nuk e di se në cilin port duhet të shkojë. Faleminderit!

