Menu

Kurti dhe Rama nuk janë në një mendje për “Shengenin rajonal”, Kosova propozon modelin EFTA

Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të ndryshme ndaj Shengenit rajonal. Kjo u duk në deklaratat e kryeministrave Rama dhe Kurti.

Samiti i Tiranës

Tirana ishte sot kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor si organizatore e samitit që mblodhi drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Samiti u drejtua nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.  Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama tha se tashmë vendet e rajonit kanë ambicie madhore që Procesi i Berlinit të bëhet pjesë e brendshme e BE-së dhe vitin e ardhshëm Samitit të jetë i përbashkët me të gjitha vendet anëtare të unionit.

Çfarë është procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014, i cili më pas u përshëndet dhe u mbështet edhe nga Parisi zyrtar. Procesi ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Çfarë tha Rama për Shengenin rajonal

“Projekti i atij që e quaj Shengen rajonal, dikush tjetër e quan Mini-Shengen, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme, ekonomike, sociale dhe në fund politike të rajonit tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE-në është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e KE, nën udhëheqjen e presidentes së Komisionit me dëshirën e ambicien që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e tanishëm dhe ai vitit të ardhshëm të bëhet në një format nën kujdesin e komisionit me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Kjo është një ambicie e jona dhe dëshirë që me komisionarin e ndajmë plotësisht”, tha Rama.

Kurti: Serbia pengon, propozojmë modelin EFTA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një propozim të tij se si mund të integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, teksa tha se Serbia po mban peng veten e saj duke mos njohur Kosovën.

“BE nuk është Europë, se nuk është i plotësuar me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi popull më Europian në Europë, të gjitha nismat rajonale po ngecin se mungon njohja e Kosovës nga Serbia, njohja nga Serbia do krijonte situatën në të cilën të gjitha vendet do të bashkëpunonin më shumë. Në këtë aspekt nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por vlerat e BE duhet të vendosen edhe në raport me të gjitha shtetet, barazia, lufta e korrupsionit, investimet në ekonomi, sundimi i ligjit e kështu me radhë, dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe ky është modeli i marrëveshjes europiane, EFTA, që ne të hyjmë si rajon i përbashkët në BE sa i përket Ekonomisë dhe Tregtisë që në fund të kësaj të dekade të ishim të gatshëm të hynim në BE. Nuk ka më më minishengen, por procesi i Berlinit”, tha Kurti.

Përplasja me Brnabiç

Kurti në prononcimin për mediat foli edhe për një polemikë me kryeministren serbe Ana Brnabiç.

“Ka ekzistuar një lloj polemike le të themi për shkak se Brnabiç nuk dëshironte të pranonte se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me ç’rast unë theksova se Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ne duam të integrohemi në BE dhe në NATO. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën, që besa është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë, e cila në këtë mënyrë po e mban vetën peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 viteve, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, e edhe Serbia duhet të shpall pavarësinë nga Kosova”, theksoi Kurti.

alert.al/

Related Posts