Menu

Albin Kurti

Kurti në Forumin e Prespës: Të bëjmë detyrat e shtëpisë, pakënaqësia ndaj BE s’duhet të instrumentalizohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ”Forumin e Prespës” në Ohër ka folur për integrimin europian në BE.

Kurti thotë se nuk duhet akuzuar vetëm BE pasi dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë shumë probleme dhe duhet që të bëjnë detyrat e shtëpisë.

Duke nënkuptuar Serbinë, Kurti thotë se pakënaqësia ndaj BE nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n si dhe mbështesin Federatën e Rusisë. ”Kemi histori të përbashkët, kemi luftuar në luftëra të njëjta. Në vend që të vazhdojmë të ndihemi të frustruar, duhet të pyesim veten çfarë ardhmërie dëshirojmë, dhe çfarë duhet të bëjmë të arrijmë aty. Vetë ne jemi larg të qenit të përkryer. Nëse shohim brenda, një instrospeksion, do të vërejmë që kemi shumë probleme.
Ekzistojnë luftëra me pushtetet autoritare, kundër monopoleve kriminale, kundër thyerjes së shtetit të së drejtës. Aktrimi se mund të ndërtojmë shoqëri demokratike nëse ndryshojmë situatën duhet të shohim nga ne. Për pyetje duhet të drejtohemi për të pasur përgjigje. Edhe ne duhet të bëjmë punën tonë të shtëpisë. Ajo që nuk duhet të bëjmë ti ikim përgjegjësive dhe në fund të krijojmë më shumë konfuzion.
Pakënaqësia me BE nuk duhet të instrumentalizohet nga vende që nuk e duan NATO-n, apo e mbështesin Federatën e Rusisë. Në Tiranë, propozova një kornizë që sjell progres për të gjithë.
E para është demokratizimi i rajonit. Ne më shumë se çdo kush tjetër e kuptojmë vlerën e lirisë. Duhet të kemi demokraci të institucionalizuar, e cila pushteti të jetë në duart e popullit.
Edhe ekonomia është e rëndësishme. Ja pse ne si demokratë promovojmë demokraci sociale. Siç i duhet lirisë demokracia, demokracia ka nevojë për drejtësi.
E dyta është siguria, duhet të flasim shumë nëpërmjet anëtarësimit në NATO mund ti përgjigjemi çështjes së sigurive në rajon, në 4 vitet e ardhshme e kemi një President të SHBA që ka njohuri të thella për Europën.
Duhet edhe uniteti i Europës. BE do e forcojë kohezionin e saj dhe do ulë kërcënimet nga jashtë dhe do forcojë kufijtë. Na duhet ende më shumë përpjekje. Nuk mjafton që vendet tona të përgatiten për aderim në BE.
Zona e lirë tregtare do të mund të vazhdojë sepse e sheh rajonin si reformë. Mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të BE dhe SHBA. ”- tha Kurti.

alert.al/

Albin Kurti merr letër nga Josep Borrel: Mirënjohës për tre takimet tona në Bruksel

“Jam mirënjohës që kisha rastin t’u mirëprisja në Bruksel tri herë që nga marrja e detyrës së re”, i shkruan Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrel kryeministrit Albin Kurti.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit ku e ka falenderuar atë për takimet që ka zhvilluar në Bruksel

Sipas tij, këto takime tregojnë marrëdhëniet e ngushta midis BE-së dhe Kosovës.

“Jam mirënjohës që kisha rastin t’u mirëprisja në Bruksel tri herë që nga marrja e detyrës së re. Kjo dërgon sinjal të fuqishëm për partneritetin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Mirëpres bashkëpunimin tonë të ngushtë në vazhdimësi dhe shkëmbimet tona në baza të rregullta”, shkruhet në letër.

Dokumenti/ Kurti prezanton katër qëndrime për marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prezantuar të dielën, ato që i ka konsideruar, katër qëndrimet e tij për ecjen përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka thënë se për palën kosovare, kërkesa për marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, është ajo “që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën”, duke shtuar se dialogu mes dy vendeve nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Si pikë të dytë, ai ka përmendur një marrëveshje që ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës të Vjenës për Ligjin mbi Traktatet.

“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin BE-së. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht, por, duhet ta dijnë qysh në fillim që dialogu, bisedimet, nuk janë për statusin e Kosovës, por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë”, ka deklaruar Kurti në takim, sipas fjalimit të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Kurti ka thënë mes tjerash se “pavarësia e Kosovës është kompromis”.

“Pavarësinë nuk e kemi shpallur vitin e kaluar, por para 13 viteve dhe 4 vitet e para pavarësia e kishte Piter Faith-in sipër si autoritet sovran, ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisarin brenda, këtij kompromisi që është dashur ta sjell një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”, ka thënë ai.

Më 23 qershor, Kurti është pritur në Francë nga presidenti i këtij shteti Emmanual Macron dhe pas takimit, ky i fundit u ka bërë thirrje, si Kosovës, ashtu edhe Serbisë për t’u angazhuar si evropianë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje “që do t’i bëjë të mundur Beogradit dhe Prishtinës të kthehen tek e ardhmja evropiane”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.

Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut.

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritur.

alert.al/

Kurti sot në Paris, pritet nga presidenti francez Macron në Pallatin Elisee

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sot në orën 19:30, do të pritet në Pallatin Elisee në Paris nga presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Kurti dhe Macron do të bisedojnë lidhur me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimeve Evropiane.

Gjithashtu, kryeministri Kurti pritet të kërkojë nga presidenti Macron përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave.

Ftesën për takim, presidenti Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër.

Kurti dhe Rama nuk janë në një mendje për "Shengenin rajonal", Kosova propozon modelin EFTA

Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të ndryshme ndaj Shengenit rajonal. Kjo u duk në deklaratat e kryeministrave Rama dhe Kurti.

Samiti i Tiranës

Tirana ishte sot kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor si organizatore e samitit që mblodhi drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Samiti u drejtua nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.  Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama tha se tashmë vendet e rajonit kanë ambicie madhore që Procesi i Berlinit të bëhet pjesë e brendshme e BE-së dhe vitin e ardhshëm Samitit të jetë i përbashkët me të gjitha vendet anëtare të unionit.

Çfarë është procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014, i cili më pas u përshëndet dhe u mbështet edhe nga Parisi zyrtar. Procesi ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

Çfarë tha Rama për Shengenin rajonal

“Projekti i atij që e quaj Shengen rajonal, dikush tjetër e quan Mini-Shengen, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme, ekonomike, sociale dhe në fund politike të rajonit tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE-në është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe jemi në kushtet kur po e zotërojmë procesin dhe shpresoj që vetë procesi i Berlinit të kalojë plotësisht në duart e KE, nën udhëheqjen e presidentes së Komisionit me dëshirën e ambicien që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e tanishëm dhe ai vitit të ardhshëm të bëhet në një format nën kujdesin e komisionit me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së. Kjo është një ambicie e jona dhe dëshirë që me komisionarin e ndajmë plotësisht”, tha Rama.

Kurti: Serbia pengon, propozojmë modelin EFTA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një propozim të tij se si mund të integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, teksa tha se Serbia po mban peng veten e saj duke mos njohur Kosovën.

“BE nuk është Europë, se nuk është i plotësuar me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi popull më Europian në Europë, të gjitha nismat rajonale po ngecin se mungon njohja e Kosovës nga Serbia, njohja nga Serbia do krijonte situatën në të cilën të gjitha vendet do të bashkëpunonin më shumë. Në këtë aspekt nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por vlerat e BE duhet të vendosen edhe në raport me të gjitha shtetet, barazia, lufta e korrupsionit, investimet në ekonomi, sundimi i ligjit e kështu me radhë, dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe ky është modeli i marrëveshjes europiane, EFTA, që ne të hyjmë si rajon i përbashkët në BE sa i përket Ekonomisë dhe Tregtisë që në fund të kësaj të dekade të ishim të gatshëm të hynim në BE. Nuk ka më më minishengen, por procesi i Berlinit”, tha Kurti.

Përplasja me Brnabiç

Kurti në prononcimin për mediat foli edhe për një polemikë me kryeministren serbe Ana Brnabiç.

“Ka ekzistuar një lloj polemike le të themi për shkak se Brnabiç nuk dëshironte të pranonte se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me ç’rast unë theksova se Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ne duam të integrohemi në BE dhe në NATO. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën, që besa është jo më pak e vlefshme edhe për vetë Serbinë, e cila në këtë mënyrë po e mban vetën peng. E kam theksuar edhe më herët se para 13 viteve, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, e edhe Serbia duhet të shpall pavarësinë nga Kosova”, theksoi Kurti.

alert.al/

Kërkesa e Albin Kurtit për ministrin e Jashtëm të Greqisë: Njihni pavarësinë e Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë një kërkesë në takim ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias. Kurti i kërkoi Dendiasit që Greqia të njohë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu ai i bëri me dije se takimi i tij me Vuçiçin në Bruksel do të ishte për dialogun teksa shtoi se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.

Ndërkohë Dendias nuk i është përgjigjur Kurtit për kërkesën, por tha se e mbështet Kosovën për liberalizimin e vizave dhe se do të përkrahë Kosovën në rrugën europiane.

“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Kryeministrit.

alert.al

Kurti konfirmon takimin me Vuçiçin në mes të qershorit, “Jo” Asosiacionit serb

Takimi me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç do të mbahet në mes të qershorit, është shprehur kështu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme.

“Nuk kam presion. Ka diskutime të vazhdueshme. Dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë, por palë në bisedime. Me programin tonë dhe me ndërgjegjen dhe përgjegjësinë që kemi treguar, do ta përfaqësojmë Kosovën”, tha Kurti. Pas deklaratave i pyetur nga gazetarët për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, tha Kurti.

Në marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

alert.al/