Lavazhet që përdorin ujin e rrjetit publik për aktivitetin e tyre do të kenë afat deri më 31 tetor për të ndërprerë këtë praktikë. Pas kësaj date, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve paralajmëron nisjen e kontrolleve në të gjithë vendin dhe marrjen e masave ndaj subjekteve që shkelin rregullat e furnizimit me ujë.
Sipas AKUK, përdorimi i rrjetit publik nga bizneset e larjes së automjeteve është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në Kodin e Furnizimit me Ujë. Subjektet duhet të sigurojnë burime alternative dhe të ligjshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre.
“Lavazhet janë ndër bizneset me impaktin më të madh negativ në rrjetin e ujësjellësit dhe për këtë arsye është e domosdoshme që këto lavazhe të gjejnë metoda të tjera alternative për zhvillimin e aktivitetit të tyre” deklaroi drejtori i AKUK, Fludian Çuka.
Agjencia e konsideron rrjetin publik të ujit të pijshëm një pasuri të përbashkët dhe paralajmëron se ndërhyrjet e paligjshme apo përdorimi i tij për qëllime biznesi do të kontrollohen.
Pas përfundimit të afatit më 31 tetor, AKUK pritet të nisë kontrollet në të gjithë territorin. Për subjektet që do të konstatohet se vijojnë të përdorin në mënyrë të paligjshme ujin e rrjetit publik, do të zbatohen procedurat dhe masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Qendra Alert/Alert.al


