Menu

Prokurimet publike me inteligjencë artificiale, si do të gjurmohen fondet?

Qeveria synon të ndryshojë mënyrën e kryerjes dhe monitorimit të prokurimeve publike, duke vendosur në qendër përdorimin e inteligjencës artificiale dhe një sistem më të centralizuar. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se po punohet për finalizimin e një modeli që synon rritjen e transparencës dhe gjurmueshmërisë së fondeve publike.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave është diskutuar për mënyrën e organizimit të prokurimeve publike dhe nevojën për një sistem më të përqendruar. Sipas Ibrahimajt, vendosja në funksion e sistemit të ri të inteligjencës artificiale është në fazat e fundit të përgatitjes dhe pritet që brenda vjeshtës së këtij viti të nisin procedurat për përdorimin e tij në prokurimet publike.

Ministrja theksoi se paralelisht me teknologjinë e re po rishikohet edhe mënyra se si zhvillohen procedurat, me synimin që informacioni mbi përdorimin e parave publike të jetë më i aksesueshëm dhe më i kuptueshëm për qytetarët.

Një pjesë e rëndësishme e modelit të ri lidhet me platformën “PasqyraAlbania”. Sipas Ibrahimajt, synimi është që qytetarët të mos kenë akses vetëm te informacioni mbi prokurimet e zhvilluara dhe rezultatet e tyre, por edhe te mënyra se si zbatohen kontratat pas përfundimit të procedurës së prokurimit.

Në këtë kuadër, Operatori i Blerjeve të Përqendruara pritet të ketë një rol më të madh në proceset e prokurimit publik. Modeli i prezantuar parashikon gjithashtu sinkronizimin e sistemeve të Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me sistemet që lidhen me zbatimin e kontratave.

Sipas ministres, ky integrim do të shtrihet deri te sistemet e fiskalizimit, duke krijuar një zinxhir të lidhur informacioni nga momenti i prokurimit deri në zbatimin dhe pagesat që lidhen me kontratat.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts