Sesioni i trajnimeve me qëllim rritjen e kapaciteteve të organizatave lokale të Shoqërisë Civile për mbrojtjen e konsumatorit, është zhvilluar në muajin tetor në dy qytete, Peshkopi dhe Tiranë, ku kanë mbedhur ekspertë dhe organizata lokale. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri.
Qëllimi është përfshirja aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE. Në trajnime morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mbi legjislacionin në fuqi, detyrimet e institucioneve dhe biznesit, si dhe të drejtat themelore të konsumatorëve: siguria ushqimore, shëndeti, e drejta për informacion, ankesa dhe përfaqësim.
Lektoret Ersida Teliti dhe Klotilda Neziri theksuan nevojën për qasje praktike dhe për trajtim të rasteve konkrete si cilësia e shërbimeve telefonike, siguria ushqimore dhe farmaceutike. Organizatat pjesëmarrëse u angazhuan për t’u bashkuar me Rrjetin e OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Gjatë aktiviteteve u lançua dhe Linja e Gjelbër 0800 26 26 për raportimin e shkeljeve dhe u prezantua rrjeti kombëtar i OSHC-ve për konsumatorin. Në tërësi, ky cikël trajnimesh po kontribuon në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.
Më 8 tetor, aktiviteti u mbajt në Peshkopi, ndërsa trajnimi i tjetër mbi Mbrojtjen e Konsumatorit u zhvillua më 17 tetor, në ambientet e Europe House në Tiranë, i organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri.
Gjatë trajnimit u trajtuan disa çështje kyçe, si roli dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve zbatuese si Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit (KMK), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore;
Raste konkrete ankesash të trajtuara, që lidhen me blerjet online, mashtrimet tregtare dhe zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve (ZAM);
Përmbushja e piketave përmbyllëse në kuadër të procesit të negociatave me BE-në;
Përfshirja e aktorëve joshtetërorë në konsultimet publike dhe platformat kombëtare, sipas udhëzuesit të përgatitur në kuadër të projektit.
*Kjo seri trajnimesh realizohet në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).














