Menu

“Loja”e kompanive telefonike me qytetarët, një listë me probleme, AKEP hesht

Nga Sibora DEMAJ*
Të gjithë ne jemi konsumator të të gjitha gjërave që ne përdorim gjatë një dite. Shfrytëzimi, keqinformimi, mashtrimi i konsumatorit është bërë një gjë aq e shpeshtë, saqë të ndodhë e kundërta të bën përshtypje.
Secili nga ne ka një telefon celular, tek i cili disponojmë edhe një numër telefoni qoftë nga Vodafone apo One, dy kompanitë e vetme që operojnë në tregun shqiptar. Këto dy kompani janë të vetmet të cilat operojnë në tregun shqiptar për momentin, dhe gjë që çon deri në një pikë ku qytetari të jetë konsumator ose i njërës ose i tjetrës edhe nëse nuk është i kënaqur.
Qytetarët janë pyetur rreth këtyre kompanive, ankesate të cilëve i hasim shpesh në rrjetet sociale, shprehen të pakënaqur nga shërbimi që Vodafone dhe One kanë ofruar dhe vazhdojnë të ofrojnë për ata si konsumator. Për shkak të kërkesës së tyre për të mbetur anonim janë paraqitur më poshtë me etiketimin qytetari/ja.
Qytetarja 1: Unë përdor One dhe nuk jam fare e kënaqur, është bërë një kompani me shumë probleme. Nuk kam zgjedhje tjetër, do e ndryshoja direkt.
Qytetari 2: Unë jam përdorues i Vodafone. Kjo si kompani nuk ka shumë probleme të mëdha, por i ka të shpeshta, më ndërpritet shpesh interneti, nuk e di nëse ndodh vetëm me mua apo me të gjithë.
Qytetari 3: Unë kam numër Vodafone dhe dua ta ndryshoj, por nuk më ka lejuar komapnia, sepse më ka nxjerrë disa herë probleme të ndryshme, më duket se e ka pretekst për të më mbajtur klient të tijin me forcë.
Qytearja 4: One përdor, por që kur e kam marrë këtë numër paketat kanë ardhur vetëm duke u rritur çmimi dhe duke u ulur ajo çfarë ofrojnë në ofertë. Nuk më pëlqen si kompani, por nuk kam çfarë bëj.
Dy kompanitë telefonike kanë shfaqur për një kohë të gjatë probleme në disa drejtime të ndryshme. Pas disa kërkimeve të bëra rreth problemeve që këto kompani kanë shfaqur janë: jo gjithmonë konsumatori pajiset me një faturë tatimore, gjë e cila është një detyrim sipas asaj që parashikon Ligji nr 87/2019 për paisjen me faturë të çdo klienti apo konsumatori në këtë rast.

Një problematikë tjetër është e drejta për të marrë një kopje të një kontrate që konsumatori lidh me njërën nga këto kompani. Paisja me një kopje kontrate qoftë në mënyrë elektronike apo fizike nuk ndodh gjithmonë. Pas konstatimit të këtij problemi për t’a konfimuar nëse është apo jo akoma, kemi vizituar një nga dyqanet e One dhe Vodafon dhe punonjësit në dyqan janë shprehur se nuk japin zakonisht një kopje të kontratës. Ky është një detyrim, por edhe një e drejtë si klient/komsumator në një kompani të tillë.
Ajo çfarë shikojmë çdo ditë e me shumë është që po shtohen problematikat që po shfaqin këto kompani. Detyrimi që të mbetesh klient/konsumator i kompanisë apo të paguash për shërbimin dhe të mos kesh shërbim për kohë të gjatë, të mbarojnë GB e internetit mbrenda ditës ndërkohë që nuk e përdor internetin, të të vijnë sms që gjendja e llogarisë tuaj është shtuar me një vlerë prej kaq lekësh ndërkohë që si konsumator nuk ke kryer një rimbushje apo të mos jetë aktiv si numër etj, janë disa nga shqetësimet që janë paraqitur për këto kompani.
Pas një kërkese për informacion dërguar nëpërmjet emailit drejt dy kompanive One dhe Vodafon, por edhe AKEP-it prej gati 2 javësh nuk ka asnjë reagim.
Shpresa për të gjetur një përgjigje ngel vetëm dyqanet fizike por ajo çfarë të kthejnë është që ne nuk dimë gjë apo japin shumë justifikime të tjera të cilat përsëri mbetesh pa një përgjigje.
Gjithë këto problematika të paraqitura nga vetë qytetarët akoma mbeten në hije dhe pa një përgjigje, edhe pas asaj që ato si konsumatorë kanë bërë.
Ndërsa Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare duhet të marrë masa të menjëhershme, me qëllim përmirësimin e shërbimeve nga operatorët e telefonisë celulare, lëshimin e kontratave për konsumatorët, lejimin e tyre të mbarin numrin që kompaninë që ata dëshirojnë, pjesë kjo që e parashikon dhe Ligji 9918 “Për Komunikimet Elektronikenë Republikën e Shqipërisë” dhe aktet tjera nënligjore.

* Autorja e shkrimit ka përfunduar studimet në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës dhe prej disa kohësh punon në televizionin informativ Fax Neës

** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.

Related Posts